Aksidenti tragjik në Mengël ku humbi jetën 7-vjeçari: Gjykata e Elbasanit lë në burg regjisorin Petri Bozo

ELBASAN – Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për regjisorin e njohur Petri Bozo, i cili po hetohet për aksidentin tragjik ku humbi jetën 7-vjeçari me iniciale E.S.

Vendimi u mor gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura këtë paradite, për vlerësimin e ligjshmërisë së ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit.

Në këtë seancë, Prokuroria e Elbasanit u përfaqësua nga prokurori Adnand Hoxha, i cili i paraqiti trupës gjykuese provat e grumbulluara nga vendi i ngjarjes dhe kërkoi vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit, si dhe izolimin në qeli të autorit të dyshuar, bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo kërkesë u pranua e plotë nga gjykata pas shqyrtimit të rrethanave të çështjes.

Ngjarja e rëndë, e ndodhur në fshatin Mengël të Elbasanit, ka tronditur thellë opinionin publik dhe ka sjellë reagime të shumta në komunitet, duke rikthyer vëmendjen te problemet e sigurisë rrugore në këtë zonë.