Vrasje në Prishtinë/ Ekzekutohet anëtari i ‘Plisave’: Dha gjithçka për qytetin, klubin e kombëtaren në çdo kohë

PRISHTINË- Të shtëna me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në rrugën “Sali Nivica” në Prishtinë, ku si pasojë një person mbeti i vrarë. Viktima nuk është emër i panjohur për sportdashësit, pasi bëhet fjalë për një prej tifozëve të Prishtinës, i grupit “Plisat”.

Viktima ka qenë emër i njohur për organet e rendit edhe në të kaluarën. Hajdari ishte i njohur me nofkën “Radulla” kishte një të kaluar të lidhur me veprimtari kriminale, përfshirë edhe narkotikët.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 dhe më pas, kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, bëri të ditur identitetin e viktimës, duke konfirmuar se personi i vrarë është Agron Hajdari ose ndryshe “Radulla”.

Sipas Policisë së Kosovës, menjëherë pas raportimit për të shtëna me armë zjarri, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe ekipi mjekësor, por viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

“Rreth orës 20:30 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Sali Nivica’ në Prishtinë. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi mashkull”, deklaroi zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

Aktualisht autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa ende nuk ka informacion zyrtar mbi autorët apo motivet e atentatit. Lajmi ka tronditur familjarët, miqtë dhe komunitetin e tifozëve, ndërsa reagim ka pasur edhe nga tifogrupi “Plisat”, ku Hajdari ishte pjesë për më shumë se dy dekada.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se ka ndërruar jetë anëtari ynë, Agron Hajdari, Radulla. Për më shumë se dy dekada ai ishte pjesë e pandashme e tribunës dhe Plisave, duke dhënë gjithçka për qytetin, klubin dhe Kombëtaren në çdo moment. Kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i gjallë. Ngushëllime më të sinqerta për familjen e tij, shokët dhe të gjithë Plisat. Pusho i qetë Goni! Ultrasit nuk vdesin kurrë”, shkruhet në postim.