Berisha paralajmëron transformimin e PD: Do hapim dyert për prurje të reja

Partia Demokratike mblodhi pasditen e së mërkurës Kryesinë. Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha në fjalën e tij në nisje të mbledhjes se objektivi prioritar i kësaj force politike do të jetë transformimi me qellimin final ardhjen ne pushtet dhe hapja e dyerve për anëtarësime të reja në të gjitha nivelet.

Berisha theksoi se do të jetë Kuvendi Kombëtar që do të sanksionojë bazat e transforimit të vërtetë të partisë.

‘PD do të arrijë atë transformim të domosdoshëm për të përmbushur një mision historik të saj, dhe misioni historik i PD është rikthimi i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe rikthimi i PD në pushtet.

Në të gjithë këtë përpjekje, ne synojmë të angazhojmë, të mobilizojmë çdo potencial për përmbushjen e misionit tonë të vështirë.

Në këtë udhëtim, ne mbështetje më kryesore kemi lirinë, demokracinë e kësaj partie, konsultën me anëtarësinë, ripërtëritjen e saj të fuqishme me anëtarësime të reja, ripërtëritjen e saj në të gjitha nivelet.

PD do të jetë parti e seksionit. Riorganizimi nënkupton anëtarësime të reja dhe zhdukjen e çdo barriere që pengon afrimin e anëtarëve të rinj. Do të hapim dyert në të gjitha nivelet për prurje të reja”, u shpreh Berisha.