Kryeministri Edi Rama tha se Fatos Nano “i dha Partisë Socialiste një frymë të re” e pa atë, kjo forcë politike nuk do të ishte këtu ku është sot.
“Në selinë e partisë qëndron një foto e tij, që për mua është pamja më domëthënëse”, deklaroi Rama.
“Askush nuk mund të vërë në dyshim se kontributi i tij për Kosovën e shqiptarët e rendit në rreshtat e historisë së nderit të Shqipërisë”, shtoi Rama.
Rama kujtoi kohën kur Nano u persekutua me 4 vite në burg dhe rikthimin në krye të qeverisë së vendit.
“Rindërtoi shtetin nga zeroja pas katrahurës rrafshuese të vitit ’97, duke u përballur me një opozitë që shkoi deri në sulme të armatosura ndaj institucioneve dhe ndaj tij fizikisht. Kjo nuk është dita për të shkruar historinë e Fatos Nanos, por për t’i dhënë lamtumirën. Do të më mungojë komunikimi ynë si shoferi i turnit të parë me shoferin e turnit të dytë për të njëjtën makinë, këshillat e tua që vinin të qëruara mirë duke më ndihmuar për të vënë pikën mbi i”, u shpreh Rama.
“I thonë një fjale vdis, pa të të dua! Sa do të doja i dashur Fatos të uleshim sonte në një nga ato darkat tonë të viteve të fundit, e t’i kalonim deri vonë në atë revistën tonë të ngjarjeve e personazheve të ndryshëm tërë ç’u tha e çfarë u shkrua për ty qysh se doli lajmi se ti ike përgjithnjë. Po sa të paskan dashur e admiruar mor burrë i dheut! Edhe ata që të vunë shkopa nën rrotë, mezi pritën sapo morën vesh se nuk do t’i hapësh më sytë, edhe ata që të kallën në burg, e që të lëshuan për vite tërë të zezat e gjuhës shqipe, veç ta shihje si t’i kanë qëndisur fjalët…Plasja më vjen!”, tha Rama në nisje të fjalës së tij të lamtumirës për Fatos Nanon.
“Më ra puna e vështirë e të parës lamtumirë që i jepet të parit kryetar, themeleus të familjes sonë. Teksa rrotullohesha me sy anë e përqark faqes së bardhë në ekran, m’u ndërmend ajo historia jote me vdekjen e Mao Ce Dunit. Mu duk vetja si ai drejtori i Metalurgjikut që do të njoftonte vdekjen e kryetarit”, shtoi kryeministri.
“Njeriu që ikën sot pa kthim nga Tirana ku lindi e bëri histori, është një rast tejet i veçantë për t’u përcejlë me fjalët e rastit pa u bërë qesharak. Me Fatosin ne ndamë, thyem dhe rindamë bukë, por historia jonë zhvilluar mes ekstremesh, nga birësimi im në familjen socialiste, ka vend vetëm për një fakt, nëse jam sot unë zëdhënësi i hidhërimit të familjes socialiste, kjo lidhet me intuitën e kryetarit, kur shtëpia e socialistëve nuk qe ajrosur ende nga era e së shkuarës”, theksoi kryesocialisti.
“Mos vdeksh kurrë Fatos Nano!”, e mbylli ai fjalën e tij.













