Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, nga konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE, u shpreh se ky është një hap i madh për Shqipërinë.
Arritjen ia dedikoi dhe kryeministrit Edi Rama, duke u shprehur se nuk do mund të arrihej deri këtu pa punën e bërë në 10-vjeçarin e fundit.
“Jemi këtu për të shënuar një hap të madh të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit pas Malit të Zi në 2024. Shqipëria është e dyta nga vendet tona kandidate që ka plotësuar piketat e ndërmjetme të shtetit të së drejtës, caktuar në 2024. Kjo është një arritje për t’u kremtuar, është vlerësim i një pune të madhe prej më shumë se një dekade, sepse nuk është diçka që mund të arrihet brenda ditës. Kështu që, kur konfirmojmë këto piketa të ndërmjetme për shtetin e së drejtës, konfirmojmë që puna juaj e 10 e madje më shumë viteve në këtë fushë ka qenë e suksesshme“, tha ajo.
Kos theksoi se arritjet dhe integrimi drejt BE-së të Shqipërisë duhet të ndihet nga vetë populli shqiptar.
“Janë miratuar ligje për të mbrojtur të drejtat themelore dhe grupet në nevojë, hapa vendimtarë janë hedhur për të siguruar që të gjithë shqiptarët të kenë të drejtën e një procesi gjyqësor të pandikuar. Kjo reflekton mbështetjen e popullit shqiptar për reforma të thella në sistemin e drejtësisë. Fuqia transformuese e procesit të anëtarësimit të BE-së duhet më së pari të ndihet nga vetë shqiptarët. Ky është një themel i fortë për të punuar mbi të“, tha ajo.
Më tej, komisionerja u shpreh se arritja e sotme çel një fazë të re të bisedimeve të zgjerimit.
“Sot ne po vendosim me vetëbesim dhe termat e rrugëtimit përfundimtar të anëtarësimit në BE. Sot ne kemi vendosur objektivat e fundit. Shtetet anëtare kanë përcaktuar piketat mbyllëse për kapitujt më të rëndësishëm, për shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore. Arritja e sotme çel një fazë të re të bisedimeve të zgjerimit dhe bën të mundur për Shqipërinë të ecë përpara drejt mbylljes së kapitujve. Pa hapin e sotëm, mbyllja e kapitujve nuk do ishte aspak e mundur në të gjitha fushat politike.
Duhet të vazhdojmë të mbështesim punën dhe vizionin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat në 2027. Shqipëria duhet të përdorë këtë energji pozitive për të ecur përpara“, tha ajo.













