TIRANË — Ka nisur me tensione të shumta protesta kombëtare e thirrur nga opozita dhe shoqëria civile përpara godinës së Kryeministrisë, ku qindra qytetarë janë grumbulluar duke kërkuar largimin e ekzekutivit.
Në nisje të tubimit, protestuesit kanë ndërmarrë një akt simbolik përmbysjeje duke i shkatërruar dhe vënë flakën ndenjëseve, shilteve e jastëkëve të vendosur mbi strukturën e improvizuar prej guri, të njohur si “sofra e dialogut” e shtruar nga qeveria.
Tymi i ndenjëseve të djegura ka mbuluar sheshin përpara Kryeministrisë, ndërsa protestuesit kanë vijuar me brohoritjet e fuqishme “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, “Rama ik” dhe “Qeveri e krimit”. Përmes këtij aksioni, pjesëmarrësit shprehën refuzimin e prerë ndaj çdo ftesë për bisedime, duke këmbëngulur se rrugëzgjidhja e vetme mbetet plotësimi i kërkesave të tyre dhe dorëheqja e kryeministrit.
