Nga Bardha Nergjoni
Koleksionet private janë një fenomen i shfaqur sidomos vitet e fundit, por që përbëjnë një interes më vete për rolin që kanë në ruajtjen dhe transmetimin e vlerave, të kulturës dhe historisë së një vendi.
Rezarti është një prej grumbulluesve të gjërave të vjetra. Ai jeton në Shalës të Cërrikut dhe në anë të biznesit të tij ka ngritur një muze.Ka mbi 20 vjet që grumbullon e blen nga koleksionistë, në tregje ndërkombëtare elementë që lidhen me kulturën e traditën e vendit dhe jo vetëm. Rezarti ka në koleksionin e tij dëshmi nga etnografia, arkeologjia, objekte të vjetra e deri tek monedha nga më të ndryshmet.
Në muzeun e Rezartit gjen armë të vjetra, punime druri, radio, enë të ndryshme dhe gjithcka që ai ka mundur të sigurojë nëpërmjet blerjeve të herepashershme si dhe nga gërmimet që në punën e tij ka bërë. Shumica thotë ai, janë shqiptare.
Pasioni i tij ka lindur ndërsa merrej me restaurime. “Pjesa më e madhe e koleksionit është mbledhur nga gjithë trojet shqiptare, por ka qe i kam marrë edhe nga jashtë vendit. Kryesisht nga San Marino, Bullgaria, Rumania e vendje të tjera.”- shprehet Rezarti.
“Ky pasion i imi lindi kur merresha me restaurime në Itali, pasi gjeja shumë objekte të cilat vendosa ti mbledh. Me kalimin e kohës fillova ta shtoj koleksionin”- tregon ai.
Pjesa e koleksionit etnografik është e veçantë. Aty gjen dybekë, enë kuzhine nga më të vjetrat po kështu edhe elementë të tjerë që kanë histori nga pas, të tilla si telefoni i ish prefektit të Tiranës Qazim Mulleti apo radiot e para, hekurin më të vjetër, një trapan dore që i përket periudhës kur punimet bëheshin me dorë, armë që janë gjetur nga vetë ai gjatë gërmimeve e shumë dëshmi të qytetërimit të hershëm.
Ai thotë se nuk është një grumbullim me qëllim fitimi, por një pasion i hershëm i tij.
Qëllimi është që brezat të mos harrojnë. Rezarti thotë se po vjen koha që këto elementë do të humbin dhe të rinjtë nuk do të kenë informacion se si kanë jetuar të parët e tyre dhe ne thotë ai, kemi detyrën t’ja kujtojmë. “Nuk e bëj për qëllime fitimprurëse, por për pasion. Po vjen koha që këto objekte do të humbin dhe rinia nuk do të ketë mundësinë për të kuptuar si jetonin dikur gjyshërit e stërgjyshërit tanë ”- shprehet Rezarti.
Ai blen online, nëpërmjet tregjeve ndërkombëtare gjen nga gërmime të ndryshme dhe e ruan me fanatizëm koleksionine tij gjithmonë duke e shtuar.
Nuk është i gatshëm as të shesë e as të dhurojë por mund ta japë në përdorim koleksionin e tij institucioneve me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e brezave të rinj.
Familjarët e Rezartit fillimisht nuk e kanë përkrahur, por më pas kanë filluar të vlerësojnë koleksionin e tij të veçantë. Një koleksion që merr vlerë ndërsa koha kalon dhe që është një pasuri më vete për identitetin, historinë dhe kulturën e një vendi.
