Vr*asja e recepsionistit në Dhërmi, arrestohen dy persona që dyshohet se ndihmuan autorin (EMRAT)

Policia ka arrestuar dy punonjës të hotel Greccia në Dhërmi, si bashkëpunëtorë në vrasjen e recepsionistit Eraldo Nevruzi.

Ata kanë ndihmuar bashkëpronarin e hotelit që të fshehin trupin e viktimës. Në pranga kanë rënë Daniel Qose dhe David Larti.

“Nga veprimet hetimore të kryera për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dyshohet se autori, shtetasi G. Sh., pasi e ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. N., është ndihmuar për të fshehur trupin, nga 2 punonjës të hotelit të tij, shtetasit D. Q., 33 vjeç dhe D. L., 30 vjeç, të dy banues në Korçë”, tha policia.

Policia thotë se nga këqyrja e banesës ku qëndronte shtetasi Gerald Shehu, në një kasafortë në dhomën e gjumit, u gjet 1 fishek arme zjarri, me kapsollë të goditur, i cili u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim.

Në funksion të hetimeve të thelluara u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme, sende dhe mjete të tjera të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për shtetasin G. Sh., për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe për shtetasit D. Q. dhe D. L., për veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim.