Vrasja e Hysnelit zbulon grupin e drogës, ja e shkuara e errët e viktimës dhe detajet e autorit

Janë zbardhur detaje të reja nga vrasja e 27-vjeçarit shqiptar në Gjermani, Reols Hysneli, i cili u gjet i vdekur me një plumb në kokë në afërsi të banjave termale Holstentherme në Kaltenkirchen, një zonë rreth 40 km larg Hamburgut, të shtunën e 25 nëntorit 2023.

27-vjeçari është vrarë po nga një shtetas shqiptar, që dyshohet të jetë 17-vjeç.

Autoritetet gjermane kanë bashkëpunuar me familjarë të viktimës për të zbardhur më tepër detaje dhe për identifikimin pasi 27-vjeçari nuk ka pasur dokumentet identifikuese.

Familjarët e të ndjerit janë njoftuar 3 ditë më parë nga të afërm të tjerë për vdekjen e Alonsos i cili kishte prej me shumë se 3 vitesh qe jetonte mes Gjermanisë dhe Francës.

Dyshimet kryesore janë për prishjet e pazareve të drogës.

Autori i vrasjes dyshohet se i përket një klani të trafikimit të lëndëve narkotike, i cili përbëhet nga shqiptarë të tjerë në Gjermani. Një pjesë e anëtarëve të këtij grupi kanë dalë në komunikimet e “SkyECC” në Berlin përgjatë vitit 2020 duke bërë pazare droge, madje edhe janë arrestuar.

Dyshohet se autori 17-vjeçar i vrasjes merrte drogë nga ky grup dhe e shpërndante në zonat e tyre të influencës.

Viktima Roels Hysneli ka qëndruar në qytetin Uetersen, një tjetër vendbanim jo shumë larg Hamburgut, nga e marta datës 20 nëntor deri ditën që u gjet i vdekur. Në këtë qytet është takuar edhe me vrasësin e tij 17-vjeçar, kjo e konfirmuar edhe përmes kontrollit të qelizave telefonike.

E shkuara e viktimës

Viktima Reols (Alonso) Hysneli kishte pasur disa herë probleme me ligjin në Gjermani. Ai rezulton të jetë dënuar me 9 muaj burg për një përleshje të rëndë fizike më 28 shtator 2021, megjithatë mundi të dalë nga qelia me lirim me kusht. Po ashtu, në vitin 2020 Hysneli rezulton i hetuar edhe për trafikim të lëndëve narkotike dhe për shkelje të afatit të qëndrimit.