Çmimet e karburanteve në Shqipëri janë ulur me rreth 20 lekë për litër. Aktualisht nafta po tregtohet me 179-181 lekë, nga gati 200 lekë për litër që kishte arritur më parë.
Kjo është hera e parë që çmimet e karburanteve kanë tendencë uljeje në vend, por qytetarët në Elbasan thonë se nuk mjafton.Ata sjellin në vëmendje Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre një pjesë e mirë e buxhetit familjar shkon për karburant.
Në qershor 2023 u shfuqizua Bordi që përcaktonte çmimet tavan të karburanteve, i cili ishte krijuar që në mars 2022, kur çmimet e karburanteve u rritën me shpejtësi pas nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë.
Në prill 2022, në tregun vendas karburantet arritën rekordin deri në 245 lekë për litër.
Në bursat ndërkombëtare çmimet kanë rënë ndjeshëm nga 95 dollarë për fuçi, që arritën në mes të shtatorit, në rreth 75 dollarë për fuçi aktualisht.
Çmimet në bursa kanë rënë në nivelin më të ulët të 6 muajve të fundit, si rrjedhojë e shqetësimeve për nivelin e lartë të prodhimit si dhe rënies së kërkesës së konsumatorëve nga çmimet ende të larta.
Sipas parashikimeve të hershme, edhe kërkesa globale për naftë pritet që të jetë e dobët përgjatë vitit 2024.













