Tjetër denoncim për dhunim të fëmijës në një kopsht në Durrës

Një tjetër rast i dhunës ndaj fëmijëve në kopsht privat është denoncuar në media pak ditë pas atij në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet.
“JOQ” ka publikuar këtë të enjte denoncimet e një nëne në Durrës, e cila ka rrëfyer se e bija është dhunuar nga edukatorja në kopsht.

Ajo dëshmon për dy raste. I pari i përket në muajin Korrik, ku denoncuesja thotë se edukatorja e kopshtit e kishte mbyllur vajzën e mitur në banjë dhe i kishte shkulur flokët. Në lidhje me rastin, rrëfen se ka vënë në dijeni drejtoreshën e kopshtit, ndërsa kjo e fundit i ka thënë se në tualet nuk ka kamera dhe për këtë arsye nuk mund të verifikohet ngjarja.

Rasti i dytë, sipas denoncueses, është regjistruar në Shtator, kur një tjetër edukatore e ka qëlluar me shpullë vogëlushen. E ëma e vajzës është shprehur se ka parë pamjet filmike të kamerave kur ndaj 5-vjeçares është ushtruar dhunë, por institucioni nuk i ka lejuar t’i marrë. Ajo shton se ka vënë në dijeni drejtoreshën e kopshtit për rastin teksa kjo e fundit i ka thënë se edukatorja është pushuar nga puna.

Denoncuesja vë në dispozioicion të medias edhe një komunikim me edukatoren e akuzuar se përdori dhunë, teksa kjo e fundit i kërkon falje.