Tentativa për grabitje në fshatin Prush, policia jep njoftimin zyrtar

Policia e Shtetit ka dhënë një njoftim zyrtar lidhur me tentativën për grabitje mbrëmjen e sotme në fshatin Prush në kryeqytet. Tre persona të armatosur kanë tentuar të vjedhin një banesë rreth orës 19:13 përballë ambulancës në këtë fshat. Banesa është në pronësi të shtetasit G.H.

Sapo u mor njoftimi, efektivët e policisë u ndodhën në vendngjarje. Personat e armatosur hapën zjarr porsa panë policinë. Sakaq, edhe policia iu kundërpërgjigj zjarrit të hapur nga grabitësit.

Më pas ata kanë mundur të largohen nga vendngjarja. Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli dhe forcat RENEA dhe shërbimet e policisë po vijojnë krehjen e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 09.12.2023, rreth orës 19:13, në fshatin Prush, përballë ambulancës, në banesën e shtetasit G. H., janë futur disa persona, të armatosur.

Me marrjen e njoftimit shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, dhe në momentin që janë afruar afër banesës, tre personat e armatosur, kanë qëlluar me armë ndaj tyre. Policia është përgjigjur me armë ndaj tyre.

Shërbimet e DVP Tiranë, RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, po vijojnë krehjen e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset kryesore dhe hyrje-daljet e Tiranës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.