8 Dhjetori, Dita e Rinisë në Shqipëri, kujtohet si një moment historik, kur një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës, në vitin 1990, u bënë protagonistë të kthesës së madhe historike, për ndryshimin e regjimit diktatorial.
Ishin kohë ëndrrash dhe shpresash të mëdha. Në fakt, shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Vendi, shumë më i lirë se më parë, ka ecur përpara, është hapur me botën, ekonomia është rritur e diversifikuar. Të rinjtë e sotëm janë shumë më ndryshe se në atë kohë, kanë pa fund mundësi e zgjedhje se më se 30 vite më parë. Ambiciet e tyre janë shtuar, por edhe pritshmëritë për të ardhmen gjithashtu. Dhe aspiratat e të rinjve janë thelbësore për investimet e tyre në kapitalin njerëzor, zgjedhjet arsimore dhe rezultatet e tregut të punës.
Por, në këto tri dekada, realiteti nuk duket t’i jetë afruar ambicies së të rinjve. Ata, me shumicë, po rezultojnë se kanë zgjedhur t’i përmbushin ato diku tjetër. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2022, grupmosha 0-24 vjeç përbënte vetëm 30% të popullsisë, nga gati 50% që ishte në 2011 (e dhëna më e hershme që është e disponueshme nga INSTAT). Në shifra janë rreth 570 mijë të rinj e fëmijë më pak se dy dekada më parë (nga 1.42 milionë në 2001 në 827 mijë në 2022- shiko grafikun).
Arsyet janë të shumta. Një prej tyre është plakja graduale e popullsisë, një tendencë deri diku normale që ka ardhur me zhvillimin e vendit dhe ndryshimin e stilit të jetesës. Efektin më të lartë po e jep emigracioni, i cili, jo vetëm që nuk është ndalur, por pas vitit 2016 është përshpejtuar, me mbi 70% të të ikurve që janë të moshës nën 24 vjeç, siç ka rezultuar nga të dhënat e azilkërkuesve që raporton Eurostat. Largohen familjet me fëmijë e krahas tyre, edhe të rinjtë që përndryshe do të kishin krijuar familje në vend. Një studim i fundit tregoi se janë rreth 17 mijë studentë që studiojnë jashtë dhe nuk kanë ndër mend të kthehen.
Shkaqet duhet të shihen të ndërlidhura zinxhir. Ato fillojnë që me sistemin e edukimit. Të dhënat e fundit të “PISA 2022”, një studim ndërkombëtar që u fillua nga OECD në 1997, gjeti se Shqipëria pozicionohet e parafundit në rajon për aftësitë e nxënësve për lëndën e matematikës, leximit dhe shkencës, të cilat janë përkeqësuar, duke lënë pas vetëm Kosovën, që është një shtet i ri dhe pa shumë traditë për vetë të kaluarën e tij historike.
