Është shuar në moshën 90 vjeçare një xhevahir i arsimit shqiptar dhe atij elbasanas.Ajo lindi më 8 nëntor 1933 dhe jetoi thuajse një shekull.Alemshah Bedhija i mbylli sytë përgjithmonë,por do të mbahet mend si mësuesja e përkushtuar dhe e devotshme e arsimit fillor e cila arsimoi breza të tërë duke rrënjosur te ta ndjenjën e atdhedashurisë.Emri i saj është sinonim me shkollën Ushtrimore të Elbasanit.Nuk ka rrugë, a shkollë në Elbasan që të mbajë emrin e saj. Alemshah Bedhija preferoi të mbante një profil të ulët, me pamjen e kuruar, dukjen e rëndë, fjalët e pakta dhe karakterin e fortë, që ia pajtoi jeta e vështirë.
Nipi i cili trashëgon emrin e saj ,Alem Bedhija e kujton me fjalë të ndjera gjyshen e saj.Në fund të një shkrimi vlerësues e mirënjohës lutet ti dalë në ëndërr, e ta prijë në ditë të vështira.
Postimi i plotë i nipit
Sonte u shua portreti i një stoikeje. Unë e gjej veten për herë të fundit pa gjyshe. Alemshah Bedhija, lindi më 8 nëntor 1933 dhe jetoi thuajse një shekull. Ajo përjetoi luftën e dytë botërore, me gjermanët e fshehur nën strehën e oborrit që i kalonin në duar çokollata të jashtme. Më tregonte për luftën kur zgjohesha në mëngjes pranë saj, veçse pak vjeç. Më tregonte edhe për nxënësit që i vinin prej larg, të lagur nga shiu, që i vinte pranë stufës së klasës.
Fati i saj qe të shkruante historinë, por e shkroi atë në mënyrë të heshtur, me durim dhe me çelik të fortë në zemër dhe mendje. Për të gjithë ata që nuk e njohin, e sot më shumë ka prej atyre që nuk e njohin, ajo ishte mësuese. Nuk kanë rëndësi titujt që iu dhanë. Gjurma e saj endet sot në të gjithë rruzullin, në kujtimet e nxënësve që e patën mësuese në klasë të parë. Sot, shumica e tyre janë në moshën e tim eti.Emri i saj është sinonim me shkollën Ushtrimore të Elbasanit.
Me ikjen e saj zbehet përsëri jehona e një kohe të shkuar, e cila konturohet me ar dhe shkëlqim. Me ikjen e saj shuhet një copëz histori, për mua, për familjen time, për qytetin tonë. Nuk ka rrugë, a shkollë që të mbajë emrin e saj. Ajo preferoi të mbante një profil të ulët, me pamjen e kuruar, dukjen e rëndë, fjalët e pakta dhe karakterin e fortë, që ia pajtoi jeta e vështirë. Kujtimet e një fëmijërie të bukur me nanën e babën, motrat e vëllezërit. Pastaj jetën ia kalli morti, të cilin diti ta presë me forcë, e tjetërsuar përbrenda. Për çdo rrudhë në ballin e saj, fliste një mësim i ashpër jete. Zemrën e kishte të madhe, ndonëse koraca e saj ishte e fortë. Më thonë se i ngjaj.
Këmbët e saj shkelën kalldrëmin e rrugicave tipike të qytetit të lindjes; barin e njomë të arave ku si vajzë me të vëllanë, mblidhnin frutat e pemëve të babës; pllakat e shkollave ku dha mësim; më vonë asfaltin e botës së re, asaj që ajo e dinte se nuk i përkiste, jo se bota nuk e meritonte, por se ajo nuk mund t’i falte më botës. Figura e saj mbeti në mendjen e atyre që mes epokave ditën të ruajnë barazpeshën mes ngazëllimit të vrullit të ndryshimeve shoqërore dhe respektit e vlerësimit për heronjtë e heshtur që bënë njerëzit.
Në lindje, prindërit më dhuruan emrin e saj. Bah, ky emër sonte më rëndon mbi supe si kolonadë trishtimi. Me mua ishte ndryshe, muret e saj ranë dhe më fali prej momentit të parë virtytin e dashurisë. Familja ime është e pazakontë. Ngase ajo nuk ishte gjyshja ime biologjike. Ishte më shumë se gjyshe. Ditët e panumërta me të në hajatin e shtëpisë, lojërat, bisedat, vizatimet… Malli është lot dhembjeje. Ndaj, dua apo s’dua loti për ato ditë do të pikojë brenda meje përjetë.
Kur mbushi 89, ndaloi për herë të parë leximin. Sa trishtim! Kur edhe unë të shuhem, kur të shuhen të gjithë ata që e njohën në të gjallë, që e prekën në supe, që ia panë nga afër sytë blu të thellë me qëndisma urtie dhe xixa malli, atëherë ajo ndoshta do të harrohet. Por deri atëherë, ka ende kohë, kohë që ndoshta do të mjaftojë që gjithë çka ajo ishte, të flejë brenda nesh, të zërë e të rritet si farë e mirë e jetës. Dua të kem kaq fat! Ka mjaft që mund të thuhet, por shumë pak që mund të shprehet mjaftueshëm qartë për të kapur në secilën qoshe pak hapësirë nga dimensioni i saj i patëshoq.
Sonte, dua të mbyll sytë e t’i lutem të më dalë në ëndërr, të më prijë në ditë të vështira. Ajo jeton në emrin tim!
