Shqiptari ndërton fermën e gomaricave në Elbasan, idea e guximshme tashmë realitet: një litër 50 euro

Në prill të 2018-s filloi të zbatohej në praktikë një dëshirë e hershme e Elton Kikisë, një të riu nga fshati Papër në Elbasan, për të krijuar një fermë të vogël në pronat që zotëronte familja e tij. Prej 20 vitesh, ai dhe prindërit e tij ishin larguar nga fshati dhe ishin vendosur në Tiranë. Pasi përfundoi studimet për gazetari, Eltoni filloi të punonte në profesionin që aq shumë e dashuron, por duke e ndarë pasionin për gazetarinë me pasionin për natyrën.

“Koha ime ndahej midis gazetarisë dhe malit, gazetarisë dhe detit, gazetarisë dhe fshatit, gazetarisë dhe lumenjve e pyjeve. Nuk ndodhte asnjëherë që të vizitoja një vend të bukur të Shqipërisë e të mos më shkonte mendja te vendlindja ime, që e kisha braktisur”, – thotë Eltoni. Në katër vitet e fundit, i riu filloi të mendonte seriozisht për t’u rikthyer në Papër e për të bërë një investim në tokat e tij atje, pa u shkëputur nga profesioni.

Idetë ishin të shumta, por asnjëra e realizueshme, për arsye nga më të ndryshmet. “Derisa një ditë zbulova që në disa vende të Europës ekzistojnë ferma që mbarështojnë gomaricat dhe prodhojnë qumësht gomarice. Nuk e di pse, por mendimi i parë që më erdhi ishte: ‘EUREKA! E gjeta’”, – kujton Kikia.

Kjo ishte pikërisht ajo që i duhej. Kështu, i lindi ideja për ta bërë i pari këtë gjë në Shqipëri. Si fillim, i duhej të bënte llogaritë. I rezultoi që kushtet ishin më se të favorshme. “Atje kisha në dispozicion një infrastrukture tashmë të ngritur: stalla, uji i pijshëm, shtëpia, etj. Kisha më shumë se një hektar tokë bujqësore për të prodhuar ushqim për kafshët, më shumë se katër hektarë pyll dhe ullishta ngjitur me fermën, që mund të përdorej si kullotë e lirë, – thotë ai. – Gjithçka dukej në rregull. Kështu, pak nga pak, ferma nisi të merrte formë.”

QUMESHTI I GOMARICES

2-3 gomerët e parë ishin dështim se të tria ato gomarica ishin të vjetra në moshë, nuk lindin, nuk bënin më qumësht, s’kishin më asnjë funksion. Ishin para të hedhura kot. Duke qenë se po zhduken si kafshë mezi kam gjetur dhe çmimet janë pak të majme. Më të shtrenjtin e kam blerë 750 mijë lekë.”

 

Në fermë rriten 22 gomarica dhe vetëm 4 prej tyre ushqejnë të vegjëlit me qumësht. Qumështi i gomaricës është i njohur për vlerat e larta ushqyese dhe mjekësore dhe kushton dhjetra herë më shumë se qumështi i lopës, ku 1 litër prej tij shkon deri në 50 euro.

Ndryshe nga qumështi i lopës apo i dhisë, ky qumësht ka një veçanti tjetër: duhet të konsumohet brenda 24 orëve që nga mjelja, sepse kështu i ruan të gjitha vlerat e tij dhe mbi të gjitha nuk duhet të kalojë në temperaturë të lartë vlimi, e mira është të mos kalojë fare në vlim.

“Ky qumësht është shumë i pasur në vlera. Rekomandohet ta pijnë personat që kanëproblem me rrugët e frymëmarrjes. Trajton kollën, astmën, ftohjen, bronshitin e në studimet e fundit ka dalë që është edhe antialergjik shumë i mirë. Njerëzit e kanë preferuar shumë edhe për periudhën post Covid.”, tregon Eltoni.

NJË KAFSHË QË RREZIKON TË ZHDUKET

Një fermë e tillë e mbron këtë kafshë, që është në rrezik zhdukjeje. Jetojmë në një kohë kur teknologjia po pushton botën me ritme marramendëse. Sot, teknologjia, në disa raste ka bërë që edhe njeriu të jetë i panevojshëm e jo më një gomar. Njerëzit, edhe në fshat, po i përdorin gjithmonë e më pak gomarët për transport. Në vend të tyre, përdorin mjetet motorike. Nëse gomari nuk hyn më në punë për këtë, për çfarë duhet ai? Nëse nuk duhet, nuk shtohet. Nuk ndodh kështu me kuajt, sepse kuajt i mbajnë edhe për gara, edhe për shëtitje, edhe për hipizëm, edhe për udhëtime turistike. Ndërsa gomaricat kanë shkuar drejt zhdukjes.