Rusia urdhëron hyrjen e trupave ushtarakë në Ukrainën lindore (video)

Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar hyrjen e trupave ushtarake në dy rajone në Ukrainën lindore, pasi i njohu ato si shtete të pavarura.

Pamjet e publikuara gjatë natës duket se tregojnë automjete ushtarake ruse duke u nisur drejt kufirit ukrainas.

Rusia tha se trupat do të ishin “paqeruajtëse” në rajonet e shkëputura, të cilat i ka mbështetur që nga viti 2014.

Por Shtetet e Bashkuara thanë se t’i quanin ata paqeruajtës ishte “marrëzi”.

Ajo akuzoi Rusinë për krijimin e një preteksti për luftë.

Presidenti i Ukrainës tha se vendi i tij “nuk kishte frikë nga asgjë dhe askush”.

Në një fjalim televiziv mbrëmjen e djeshme, 21 shkurt drejtuar kombit, Presidenti Volodymyr Zelensky bëri thirrje për “veprime të qarta dhe efektive të mbështetjes” nga aleatët ndërkombëtarë të Ukrainës.

“Është shumë e rëndësishme të shohim tani se kush është miku dhe partneri ynë i vërtetë dhe kush do të vazhdojë të trembë Federatën Ruse vetëm me fjalë,” shtoi ai.

Disa vende, përfshirë Britaninë e Madhe, po shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve të reja kundër Rusisë në përgjigje të masës.

Frika për një pushtim është rritur muajt e fundit, pasi Rusia ka grumbulluar rreth 150,000 trupa përgjatë kufijve të Ukrainës, sipas vlerësimeve të SHBA.

Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ambasadorja e SHBA Linda Thomas-Greenfield hodhi poshtë pretendimet e Rusisë se trupat do të merrnin një rol “paqeruajtës”, duke thënë: “Ne e dimë se çfarë janë ato në të vërtetë”.

Njohja e Luhanskut dhe Donetskut si të pavarura ishte pjesë e përpjekjes së Rusisë për të krijuar një arsye për të pushtuar Ukrainën, tha ajo.