Rihapet pas shtatë orësh aksi kombëtar Librazhd–Prrenjas pas rrëshqitjes së masivit shkëmbor

Librazhd – Është rihapur pas shtatë orësh segmenti i rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, i cili u bllokua përkohësisht pasi trasesë iu derdhën qindra metra kub gurë dhe dherë nga shpati i kodrës përreth.

Shpati nga ku ndodhi rrëshqitja është pjesë e punimeve për ndërtimin e një segmenti të ri rrugor, në kuadër të projektit Korridori VIII, ku aktualisht po operon kompania “ANK” shpk.

Falë ndërhyrjes emergjente dhe punës intensive të makinerive të rënda dhe ekipeve në terren, u bë i mundur pastrimi i plotë i aksit dhe rifillimi i qarkullimit në të dy drejtimet.

Autoritetet rrugore u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe paralajmërimet e vendosura në zonat ku vijojnë punime intensive.

Hapja e aksit synon garantimin e sigurisë së udhëtarëve dhe rikthimin e sa më shpejtë të trafikut normal, duke minimizuar pasojat e një ngjarjeje të papritur natyrore në një nga segmentet më të rëndësishme lidhëse mes Librazhdit dhe Prrenjasit.