Qëlloi me armë zjarri në drejtim të një lokali, i riu fshihet në arat me misër. RENEA në kërkim

Në Kurbin, 33-vjeçari Gentjan Markaj ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një lokali të pronës së Fatjon Stakajt, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta dhe fatmirësisht nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar.

Pas aktit, Markaj është larguar nga vendi i ngjarjes, duke kaluar mes parcelave të mbjella me misër dhe duke marrë me vete armën e zjarrit. Shërbimet e Policisë janë mobilizuar menjëherë dhe kanë nisur një operacion për kapjen e tij. Në ndihmë të këtij operacioni janë dërguar Forcat Speciale Renea dhe Njësia Kombëtare e Sigurisë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka filluar hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të sekuestruar provat që do të ndihmojnë në dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Hetimet janë në vazhdim dhe fokusi kryesor është kapja e autorit dhe ndriçimi i motiveve që çuan në këtë akt të dhunshëm.