ELBASAN- Operacioni i SPAK gjatë ditës së sotme në tre qytete në vend, ka zbardhur disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në Elbasan. Mësohet se nga zbërthimet e aplikacionit Sky Ecc dhe nga dëshmitë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, kanë marrë përgjigje disa vrasje që kanë ndodhur. Po ashtu gjatë aksionit të sotëm, janë vënë në pranga dhe dy punonjës policie në Elbasan, për përfshirje në grup kriminal.
Ky operacion është për të vënë në pranga persona me precedentë penal të mëparshëm të shpallur në kërkim për vrasje, trafikim droge dhe tentativë vrasje. Deri më tani nga SPAK janë lëshuar mbi 30 urdhëra-arreste, nga të cilat disa janë ekzekutuar nga forcat e policisë operacionale. SPAK ende nuk ka bërë një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen, që po vijon akoma.
