Një mjek i Akademisë së Sigurisë së Tiranës është arrestuar këtë të enjte pasi akuzohet për korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike si dhe falsifikim të dokumenteve shëndetësore.
Mësohet se ai i duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, kundrejt përfitimeve të paligjshme, lëshonte raporte mjekësore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademisë së Sigurisë.
Sipas njoftimit, gjatë hetimeve të kryera, janë dokumentuar me prova ligjore 45 raste të ndërveprimit korruptiv midis mjekut dhe studentëve/kursantëve, të cilët për të justifikuar mospjesëmarrjen në procesin mësimor, siguronin fiktivisht raportin mjekësor, kundrejt shumave monetare që varionin nga 1000 deri në 2000 lekë.
Gjithashtu është provuar se mjeku i arrestuar kryente fallsifikimin e raporteve mjeksore, duke lëshuar raporte mjekësore për studentët në kohë të mëparshme. Ai gjithashtu i lëshonte raporte mjekësore personave të tretë pa qenë prezent dhe pa kryer vizitën mjekësore.
Për sa më sipër, hetimet vijojnë në gjendje të lirë edhe në ngarkim të 45 studentëve/kursantëve, të cilët me veprimet e tyre të kundraligjshme, dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
