Po shkonte për të fikur zjarrin në Lurë, i riu pëson aksident dhe vdes tragjikisht

Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën një 43 vjecari në aksin rrugor Maqellarë-Peshkopi. Automjeti me të cilin udhëtonte shtetasi Bledar Spahiu ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar disa metra më poshtë, duke u përmbysur.

Përplasja e automjetit ka qenë e fortë, duke i shkaktuar plagë të rënda drejtuesit të mjetit. Fillimisht ai është transportuar në spitalin rajonal të Dibrës, por më pas është vendosur të dërgohej me urgjencë në spitalin e Traumës në kryeqytet. Por plagët e shumta në trup kanë bërë që Bledar Spahiu të humbasë jetën në helikopter.

Viktima ishte baba i dy fëmijëve dhe punonjës i repartit zjarrfikës në Dibër. Në kohën kur është aksidentuar, 43-vjeçari ishte nisur drejt Peshkopisë për t’iu bashkuar ekipeve të zjarrfikseve për shuarjen e flakëve në Parkun Kombëtar të Lurës.

Pas aksidentit, në vendin e ngjarjes ka mbwrritur policia rrugore, ndërsa po punohet për të zbardhur shkaqet e aksidentit fatal. Paraprakisht dyshohet se shkak është bërë shpejtësia e lartë mbi normat e lejuara.