Personazh/Një Erdogan në Elbasan, vajza turke flet për vështirësitë, përshtypjet, të mirat dhe të këqiat e Shqipërisë

Nga Dallandyshe Xhaferri

Ecem Erdogan është vajza nga Turqia, e cila po përjeton eksperincën si studente në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” pas përfshirjes në shkëmbimet studentore të Erasmus+. “Shqipëria nuk ka qenë zgjedhja ime, pedagogët vendosën për mua. Megjithatë, ndihem mirë këtu dhe njerëzit janë të dashur”,- ka thënë gjatë bashkëbisedimit. Afërsia kulturore, gastronomia e kanë bërë Ecem të ndihet mirë në Shqipëri, ndërkohë që thekson se byreku shqiptar është më i shijshëm se ai turk. “Mamaja e një mikeje shqiptare më gatoi byrek me spinaq dhe më pëlqeu shumë. Më pëlqejnë të gjitha llojet e byrekëve këtu. Kam provuar tavën e kosit, e shijshme”, -ka shtuar ajo.

Të jesh student në Elbasan nuk duket të jetë një eksperiencë e thjeshtë për vajzën turke, e cila pasi u përballë me kushtet jo të mira në konviktin privat vendosi që të shpërngulej bashkë me 2 miqtë e saj turq në apartament. “Kishim probleme me dushin, kuzhinën dhe nuk mund të qëndronim dot në atë konvikt”. Me humor ajo ka treguar se si miku i saj, studenti turk, preu flokët e tij të gjatë vetëm sepse në konvikt mungonte uji i ngrohtë. Ajo çka i ka bërë më shumë përshtypje nga Elbasani është bugaçja tradicionale. “Bukë me bukë, nuk e kuptoj. Ka shumë kalori, nuk mund ta konsumoj dot, por përderisa njerëzit këtu e preferojnë nuk është problem”. “Distancat këtu janë shumë të afërta, çuditem kur shqiptarët më thonë se 10 minuta nga qendra është largësi e madhe”.

Nuk mund të kalonte pa u vënë re në sytë e një të huaji kafenetë e shumta dhe pranë njëra-tjetrës. “Në Stamboll popullsia është shumë më e madhe se në Elbasan, por ju keni më shumë kafene. Këtu kafenetë janë plotë në çdo orë të ditës, kurse tek ne jo”,-nuk nguroi ajo të bënte krahasimin midis dy vendeve. Pyetjes se cili qytet i pëlqen më shumë ajo nul nguroi t’i përgjigjej aspak. “Më pëlqeu shumë Shkodra, por edhe Tirana është shumë e bukur. Shkoj shpesh në kryeqytet pasi mërzitem në Elbasan, ndërkohë që në Tiranë ka jetë nate dhe shumë lokale turke”.

Ndërkohë besdia më e madhe janë shërbimet që ende nuk janë online.  “Çka më shqetëson më shumë janë biletat. Nuk mund t’i blej online, por po ambientohem ‘avash-avash’ siç themi ne”,-ka shtuar ajo me humor. Bashkëpunimet mes Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe atyre të huaj janë bërë më intensive vitet e fundit, ku dhjetra studentë arrijnë të studiojnë në shtetet e Europës falë mbështetjes së Bashkimit Europian. elbasanion