Përplasen dy makina në aksin Shkodër-Lezhë: Humb jetën 83-vjeçari shqiptar, shoqërohet drejtuesi francez

SHKODËR – Një aksident rrugor me pasojë humbjen e jetës së një personi ka ndodhur pasditen e së mërkurës në aksin nacional Shkodër-Lezhë, në vendin e quajtur Kryebushat.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit, rreth orës 15:30 janë përplasur dy automjete: njëri i drejtuar nga shtetasi francez P. L., 67 vjeç, dhe tjetri nga 83-vjeçari Gjin Nikaj, banues në Shkodër.

Si pasojë e përplasjes së fortë, i moshuari Gjin Nikaj është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës, por pavarësisht ndihmës mjekësore ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra.

Ndrëkaq, drejtuesi tjetër i mjetit, shtetasi francez P. L., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale e hetimore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e plotë të dinamikës dhe shkaqeve të aksidentit.