Nga Entela Duka
Prej 5-së vitesh nxënësit e Shkollës së Bashkuar Shezë në Peqin ndjekin mësim në shkollën e fshatit Pekisht. Tërmeti i rënë në vitin 2018-të e nxorri godinën jashtë funksionit, ndërsa komisioni i vlerësimit të dëmeve e cilësoi të rrezikshme dhe të pabanueshme. Që nga ajo kohë rreth 200 nxënës detyrohen cdo ditë të ndjekin mësim në shkollën e fshatit ngjitur.
Ndonëse disa herë pushteti lokal ka premtuar rikonstruksionin e shkollës së Shezës asnjë masë nuk është marrë.Sakaq prindër e nxënës kërkojnë hapjen e shkollës së tyre, ndërsa apelin ia përçojnë direkt Bashkisë Peqin.
Administratori i Njësisë Shezë, Shefqet Tabaku i bashkohet shqetësimit të banorëve. Ai thotë se godina ka nevojë imediate për riparim , ndërsa evidenton faktin se presioni nga ana e prindërve gjatë këtyre viteve, të cilët kërkojnë me ngul hapjen e shkollës në fshat ka qënë i madh. Pa një fond nga qeveria pushteti lokal thotë Z.Tabaku është i pafuqishëm të ndërhyjë.
Ndonëse disa herë komuniteti i zonës është ngritur në protestë dhe ka paralajmëruar se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë derisa të nisin punimet në shkollën e tyre janë detyruar të tërhiqen pas. Duket se jo vetëm këtë vit, por dhe vite të tjera që do të pasojnë nxënësit e fshatit Pekisht do të marrin dije në një fshat tjetër.
