Një tjetër premtim për të rinjtë: A do të vijë vërtet TUMO në Elbasan?

Një premtim që është artikuluar shumë qysh nga fillimi i fushatës për të rinjtë është ndërtimi i një qendre të modelit TUMO në Elbasan.
Fillimisht ka qenë drejtuesi politik që e ka përcjellë si një deklaratë të Kryeministrit në një takim me të rinjtë dhe më pas e ka mbështetur edhe një prej kandidatëve më të rinj të partisë socialiste, Musa Coha në një dalje të tij publike në rrjetet sociale.

“Këtu jam tek godina e ish maternitetit në qendër të qytetit të Elbasanit, një relike e kohës së shkuar që do të kthehet në një qendër moderne teknologjike sipas modelit të TUMO-s në Tiranë”- shprehet ai.

I kontaktuar nëpermjet telefonit kandidati Coha nuk dha më shumë detaje mbi realizimin apo financimin e projektit.

Ndërkohë Sara Zekaj, një kandidate e re që vjen po ashtu nga shoqëria civile, thekson se në Elbasan mungojnë investimet konkrete për të rinjtë.

“Për të shkuar në investime të tilla unë mendoj se duhet të nisim nga baza. Të shkosh në shkolla të ndryshme të qarkut të Elbasanit, mungojnë gjërat bazë siç janë laboratorët e IT-së”- shprehet ajo.

Godina e ish maternitetit të vjetër nuk është pronë e bashkisë Elbasan. Me vendim të këshillit të ministrave kjo godinë ka vite që i ka kaluar universitetit të Elbasanit, ku ishte programuar ngritja e fakultetit të Shkencave Humane.

Godina kërkon një fond të konsiderueshëm për restaurim pa llogaritur pajisjet teknologjike për të cilat nuk ka asnjë informacion konkret mbi burimin e fondeve apo afatet e realizimit.

Bashkia Elbasan duket se nuk ka kapacitet financiar për ta mbështetur vetë një projekt të tillë.

Vetëm pajisja me infrastrukturën e teknologjisë në një raund nga AADF në vitin 2023 ka kushtuar 560 mijë euro.

Qendra e vetme rinore shërben edhe si qendër kulturore e fëmijëve dhe nuk ka hapësira të mjaftueshme e as një vendodhje gjithëpërfshirëse që t’i shërbejë të gjithë të rinjve të Elbasanit.

Ndërsa aktualisht një investim i pjesshëm në një qendër rinore dhe të karrierës në lagjen Kala që duhet të kishte përfunduar muaj më parë, mbetet pa asnjë lëvizje dhe nuk ka asnjë detaj se kur do të përfundojë.

Nga parashikimet në realitet në asnjë buxhet të bashkive nuk ka një fond konkret investimi për të rinjtë që ata të kenë më shumë hapsira sportive, argëtuese ku të kalojnë kohën, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të mund të ndërveprojnë me njëri-tjetrin larg kafeneve dhe veseve dhe pranë mundësive dhe eksperiencave pozitive.

gazetare Edja Fecanji