“Dëmi tashmë është bërë. Vetëm mbrojtja ligjore mund të shpëtojë atë që ka mbetur,” thotë A.M., banor nga Struga, duke parë drejt shpatëve të zhveshura të Jabllanicës.
Në anën tjetër të kufirit, në Shqipëri, banorët flasin për një realitet tjetër: më shumë rrugë, më shumë ndërtime dhe një turizëm në rritje, por edhe frikë se zhvillimi po i paraprin rregullave. “Nëse ndërtohet pa kriter, nuk do të ketë më turistë,” paralajmëron një vizitore në zonën e Fushë Studenit.
Në vijën kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut shtrihet masivi malor Shebenik–Jabllanicë, një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në rajon.
Në terren, ai funksionon si një ekosistem i vetëm, me pyje, burime ujore dhe habitate të ndërlidhura. Megjithatë, nga pikëpamja institucionale, ky territor trajtohet në mënyrë të ndryshme nga dy shtetet.
Në Shqipëri, Shebenik–Jabllanicë është shpallur park kombëtar që prej vitit 2008 dhe operon mbi një kuadër ligjor të përcaktuar, me plan menaxhimi dhe struktura monitorimi. Në vitin 2022, harta e territorit u rishikua, bashkë me emërtimin, për shkak të mungesës së statusit të mbrojtur në pjesën maqedonase të Jabllanicës.
Në Maqedoninë e Veriut, Jabllanica mbetet ende pa një status të plotë mbrojtjeje, megjithëse është identifikuar si zonë me vlera të larta natyrore dhe pjesë e rrjeteve ndërkombëtare.
Masivi Shebenik–Jabllanicë është një habitat kyç për biodiversitetin, ku jeton rrëqebulli i Ballkanit, së bashku me specie si ariu i murrmë, ujku dhe kaprolli. Zona është gjithashtu e pasur me bimë endemike dhe pyje natyrore, duke e bërë një nga hapësirat më të rëndësishme për ruajtjen e natyrës në Ballkan.
Zhvillimi lokal mes optimizmit dhe shqetësimit
Në zonat përreth parkut në Shqipëri, ndryshimet infrastrukturore janë të dukshme, veçanërisht pas ndërtimit të rrugëve të reja.
Banorët e Fushë Studen e lidhin këtë zhvillim me rritjen e turizmit dhe aktivitetit ekonomik.
“Që kur u shtrua rruga, ka më shumë vizitorë dhe më shumë lëvizje,” thotë Ferit Hasa.
Në të njëjtën linjë, disa e shohin ndërtimin si një mundësi për zhvillim ekonomik.
“Sa më shumë të ndërtohet, aq më shumë përfitim ka për zonën,” thotë Xhezmir Kaleci.
Por ky optimizëm shoqërohet me shqetësime për mungesën e kontrollit dhe ndikimin në mjedis. O. Domi, një turiste e pasionuar pas natyrës, thotë se shumë ndërtime do të ishin boomerang. “Nëse këtu do të ketë shumë ndërtime ne nuk do vijmë, rikthehemi pasi këtu jemi në paqe me natyrën, nëse do të ndërtohet pa kriter, nuk do ketë më turistë”.
Në anën tjetër të parkut, në Rrajcë të Prrenjasit, situata është ndryshe. Mungesa e infrastrukturës ka nxitur braktisjen e zonës.
“Të rinjtë janë larguar. Familjet janë zhvendosur drejt zonave më pranë qytetit,” thotë një banor rreth të 60-ave. “Për vetëm disa kilometra rrugë të amortizuar, fshatrat po zbrazen.”
Drejtuesi lokal, Islam Golemi thotë se ka filluar interesimi për bujtina dhe shërbime turizmi. “Ka disa kërkesa nëpërmjet paketës së maleve dhe kanë filluar bujtina, shpresojmë që të finalizohen për të pasur zhvillim të turizmit dhe rikthim të banorëve”thotë ai.
“Paketa e maleve”: zhvillim i shpejtë apo rrezik për natyrën?
Një ligj i ri, i njohur si “Paketa e maleve”, po zbatohet përmes aplikimeve në platformën e-Albania, duke hapur rrugë për investime në zonat malore.
Në teori, nisma synon të rigjallërojë territore të braktisura. Në praktikë, ajo ka sjellë një valë aplikimesh edhe në zona ekologjikisht të ndjeshme.
Sipas deklaratave të fundit publike procesi është shoqëruar edhe me presion politik. Kryeministri Edi Rama ka vendosur si kusht për rikandidimin e kryebashkiakëve sigurimin e të paktën 10 kontratave në kuadër të kësaj pakete.
Ekspertët paralajmërojnë se ky kombinim: procedura të përshpejtuara, interes politik dhe kontroll i dobët, mund të prodhojnë pasoja të pakthyeshme.
“Rreziku është që zhvillimi të mos orientohet nga planifikimi hapësinor, por nga nevoja për të prodhuar rezultate të shpejta,” thotë Ahmet Mehmeti, ekspert mjedisi.
Komuniteti lokal: pak i përfshirë, shumë i ekspozuar
Të dhënat e mbledhura përmes platformës ECR tregojnë një shkëputje të dukshme mes komunitetit dhe institucioneve.
Rreth 58% e të anketuarve përdorin burimet e parkut, ndërsa 71% thonë se nuk janë konsultuar ose janë konsultuar rrallë për menaxhimin e tij.
Ndërkohë, raportohen vazhdimisht ndërhyrje si prerje të paligjshme dhe ndotje.
“Kam parë prerje, ndërtime dhe mbeturina në zona të ndryshme,” thotë një vizitore e rregullt.
Edhe kufizimet ligjore krijojnë tension me banorët. “Na duhet të bëjmë deri në 20 kilometra për dru zjarri,” thotë Ismail Hasa.

Ndërkohë në një përgjigje zyrtare me shkrim, Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura në Elbasan pranon se në Parkun Kombëtar Shebenik janë konstatuar raste të “ndërtimit pa leje”. Sipas ADZM janë mbajtur procesverbale për vlerësimin e dëmit dhe rastet janë referuar tek organet ligjzbatuese, duke konfirmuar në mënyrë indirekte praninë e ndërhyrjeve të paligjshme brenda zonës së mbrojtur.
Jabllanica pa status: një korridor i pambrojtur
Në anën maqedonase, situata është më e brishtë. Në fshatin Vishni, ndryshimet janë të dukshme. Edhe pse zona është pjesë e rrjeteve Emerald dhe Natura 2000, mbrojtja në praktikë mbetet e kufizuar.
Banorët raportojnë ndërhyrje pranë burimeve ujore, një rrezik direkt për furnizimin me ujë.
“Këto burime janë jetike. Nëse humbasin, humbasim gjithçka,” thotë A.M.
Ndryshimet prekin edhe mënyrën e jetesës. “Dikur çdo familje kishte bagëti. Sot mezi gjen disa dhjetëra në gjithë zonën,” thotë Slave Tupuzovski.
Konflikti mes zhvillimit dhe mbrojtjes
Studiuesit theksojnë se Jabllanica përfaqëson një nga zonat më të rëndësishme të biodiversitetit në rajon, një “hotspot” të vërtetë natyror.
Ata e konsiderojnë Jabllanicën një korridor kyç ekologjik në Ballkan, me rol thelbësor në lidhjen e habitateve dhe ruajtjen e biodiversitetit. “Nëse humbet kjo lidhje ekologjike, pasojat do të jenë afatgjata,” paralajmëron Daniel Bogner, studiues i biodiversitetit.
Sipas Besni Rexhepit, drejtues i Programit Studimor Ekologjik në Universitetin e Tetoves, kombinimi i faktorëve gjeologjikë, topografikë dhe klimatikë ka krijuar një mozaik të pasur habitatesh, ku gjenden specie të rralla dhe të rrezikuara, përfshirë rrëqebullin ballkanik dhe shumë bimë endemike, duke e bërë zonën “një ndër hapësirat më të pasura natyrore në Ballkan.” Por jo të gjithë mbështesin shpalljen e zonës si park kombëtar.
Në Labunishtë, disa përfaqësues lokalë argumentojnë se kjo do të kufizonte zhvillimin ekonomik. Një activist nga Natura Lab i njësisë Labunishtë vlerëson se shpallja e zonës si park kombëtar nuk është e përshtatshme për këtë territor, duke argumentuar se Labunishta është një zonë dinamike me rreth 1000 nxënës dhe zhvillim aktiv lokal. “Një status i tillë do të sillte kufizime të shumta për jetën e përditshme dhe aktivitetet ekonomike të banorëve, duke e bërë zonën të vështirë për t’u zhvilluar nën kufizime të forta mjedisore.”
Një proces i ngadaltë përballë një dëmi të shpejtë
Institucionet në Maqedoninë e Veriut kanë nisur procesin e vlerësimit për shpalljen e zonës së mbrojtur, por pa një afat të qartë. “Studimi i valorizimit është në fazë përgatitore dhe përfshin mbledhjen e të dhënave në terren, analizat shkencore dhe konsultimet me palët e interesit” konfirmohet në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor.
Ndërkohë, degradimi vazhdon. “Ne po e shohim çdo ditë çfarë po ndodh,” thotë A.M., duke paralajmëruar për një të ardhme shqetësuese të peizazheve natyrore kufitare.
Sipas tij, këto zona janë gjithnjë e më të rrezikuara nga prerjet e paligjshme, aktiviteti i guroreve që zhveshin terrenin, zjarret dhe ndërhyrje të tjera njerëzore që po dëmtojnë në mënyrë të vazhdueshme ekosistemin.
Nga analizat satelitore ndër vite, ndryshimet më të forta në zonën kufitare lidhen me zgjerimin e guroreve në anën maqedonase dhe ndërtimet e reja përgjatë parkut në Stëblevë.
Paralelisht, të dhënat tregojnë presion të vazhdueshëm mbi pyjet: në Shqipëri vlerësohet se rreth 8% e sipërfaqes pyjore është dëmtuar nga prerjet e paligjshme, ndërsa në Maqedoninë e Veriut humbjet vjetore të pyjeve llogariten në mijëra hektarë.
Autorë: Fatos Salliu, Lorik Idrizi
Video: Edja Feçanji














