Një bankë në Mal të Zi është “sulmuar” nga një person që ka thënë se është i armatosur me eksploziv teksa akuzon organizatën financiare se ka vjedhur para nga punëtorët. Policia lokale e Malit të Zi ka evakuuar një pjesë të rrugës “Marshal Tito” në Tivar për shkak të kërcënimit të tij se do të shpërthente një eksploziv.
Sipas RT, ngjarja po zhvillohet në qytetin bregdetar të Tivarit, në jug të vendit. Policia ka evakuuar banorët e shtëpive aty pranë dhe ka rrethuar zonën përreth bankës NLB. Ai mbërriti në degë herët në mëngjes, urdhëroi të gjithë punonjësit të dilnin dhe u barrikadua brenda.
Drejtoria e Policisë tha se burri kishte ngjitur paraprakisht në një filial të bankës mbishkrimin: Kthejini paratë që i keni vjedhur punëtorëve të Primorkës. Burri, i cili u prezantua si Edin Begziq, paraprakisht ka dërguar një video nga YouTube, në të cilën i bën thirrje kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, si dhe kryetarit të Kuvendit, të ndihmojnë në zgjidhjen e situatës me bankën. Ai tha se kishte vendosur pajisje shpërthyese në disa lokacione në bankë, të cilat ishte gati t’i shpërthente.
