“Nesër më shumë”, mijëra qytetarë nisin marshimin drejt Komisariatit nr. 3: Lironi çunat

TIRANË- Pas përfundimit të fjalime para kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin drejt Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, aty ku ndodhen disa nga protestuesit e ndaluar pas protestës së djeshme para Parlamentit. “Lironi çunat”, “Ju erdhi fundi”, “Nesër më shumë”, janë disa nga thirrjet e dëgjuara gjatë marshimit.

Protesta e lajmëruar para Kuvendit u shoqërua me tensione dhe konfrontime mes efektivëve dhe protestuesve. Si pasojë e kësaj, forcat e rendit kanë ndërhyrë duke shoqëruar disa protestues për në komisariat. Një situatë tjetër e tensionuar ishte edhe çarja e kordonin e policisë, gjë e cila ka sjellë edhe konfrontimin e tyre fizik.

Nën thirrjet “Qeveri e krimit”, ata kanë vijuar revoltën e tyre, ndërsa policia ka përdorur ndaj tyre, sprej lotsjellës. Kjo sjellë përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të disa prej protestuesve.

Gjatë tubimit, disa kanë goditur makinat e policisë, ndërsa disa të tjera kanë hedhur ndaj tyre vezë dhe gur. Kulmi i agravimit të protestës ishte një efektiv që po kryente detyrën për ruajtjen e rendit, u godit me gur në kokë nga një protestues. Më pas, ambientet e jashtme të Parlamentit u kthyen në qendra të përplasjeve dhe tensioneve ku efektivët e policisë janë përplasur fizikisht me protestuesit.