Zjarr në malin e Shëngjinit, shpërthim municioni dhe një i plagosur gjatë ndërhyrjes

LEZHË – Një zjarr ka përfshirë zonën malore të Shëngjinit, pranë lagjes Sake, duke djegur një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të thatë.

Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të kushteve të favorshme të terrenit dhe bimësisë së dendur, duke vështirësuar ndërhyrjen në zonë.

Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Lezhë, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme.

Deri në këto momente, zjarri nuk paraqet rrezik për banesat apo për rrugën kryesore, ndërsa qarkullimi i automjeteve vijon normalisht.

Gjatë ndërhyrjes, është raportuar edhe një shpërthim municioni në zonë, si pasojë e të cilit ka mbetur i plagosur një person. Autoritetet po vijojnë verifikimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të garantuar sigurinë në terren.