GJERMANI- Një rast i pazakontë gjyqësor në Gjermani ka tërhequr vëmendjen, pasi një mësues i shkollës fillore pretendon se këndimi dhe brohoritjet e nxënësve i shkaktuan probleme serioze me dëgjimin. Ngjarja daton në vitin 2016, në një shkollë fillore në Berlin. Mësuesi, atëherë 43 vjeç, hyri në një klasë ku nxënësit e klasës së dytë po këndonin një këngë për fëmijë, të shoqëruar me duartrokitje, kërcime dhe brohoritje.
Sipas pretendimit të tij, zhurma ishte aq e fortë sa i shkaktoi dëmtime në dëgjim. Disa ditë më vonë, ai u diagnostikua me tinitus dhe më pas me hiperakuzi, një gjendje që shkakton ndjeshmëri të shtuar ndaj tingujve. Mësuesi kërkoi që incidenti të njihej si aksident në punë, por kërkesa e tij u refuzua nga institucionet përkatëse dhe gjykatat. Çështja përfundoi në Gjykatën e Lartë Sociale të Berlinit dhe Brandenburgut, e cila më 10 nëntor 2026 vendosi të mos e pranojë kërkesën.
Gjyqtarët vlerësuan se nuk kishte prova të mjaftueshme që të vërtetonin lidhjen mes këndimit të fëmijëve dhe problemeve të dëgjimit. Edhe dëshmitë e stafit të shkollës dhe ekzaminimet mjekësore nuk mbështetën pretendimet e mësuesit. Megjithatë, ai ka ende mundësinë të kërkojë apelim në Gjykatën Federale Sociale.Mësuesi ka përmendur si precedent një rast të vitit 2023, kur një tjetër pedagog fitoi njohjen e dëmtimit të dëgjimit si aksident në punë, pas ekspozimit ndaj britmave të një grupi adoleshentësh në ambientet e shkollës./



