Stuhia e fortë godet Elbasanin, rrëzohen disa pemë, dëmtohet edhe një shtyllë e tensionit të mesëm

Nga stuhia e cila u shoqërua me reshje intensive shiu dhe erëra të forta e cila përfshiu mesditën e së premtes qytetin e Elbasanit shkaktoi probleme të shumta në disa zona të qytetit për eliminimin e të cilave u vunë në lëvizje strukturat e emergjencës.

Si pasojë e erërave të forta, dy pemë u rrëzuan, ndërsa në disa vende u këputën degë pemësh, duke krijuar rrezik për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Gjithashtu, u dëmtua edhe një shtyllë e tensionit të mesëm, çka kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga ekipet teknike.

Menjëherë pas sinjalizimeve, ekipet e Agjencisë së Shërbimeve Publike (ASHP) zbritën në terren për të larguar pemët e rrëzuara dhe degët, si dhe për të normalizuar situatën, duke shmangur çdo incident të mundshëm.

Paralelisht, grupet e punës të OSHEE ndërhynë për sigurimin dhe riparimin e shtyllës së dëmtuar të tensionit të mesëm, me qëllim garantimin e sigurisë dhe vazhdimësisë së furnizimit me energji elektrike.

Bashkia e Elbasanit u ka bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë stuhive të shoqëruara me erëra të forta. Sipas autoriteteve vendore, përveç pemëve dhe degëve, rrezik mund të paraqesin edhe objekte që mund të shkëputen nga ballkonet apo tarracat e pallateve.

Qytetarëve u rekomandohet të shmangin daljet e panevojshme gjatë momenteve kur moti përkeqësohet, pasi fenomene të tilla atmosferike janë intensive, por zakonisht zgjasin vetëm pak minuta. Autoritetet theksojnë se respektimi i këtyre masave parandaluese është thelbësor për të garantuar sigurinë e çdo qytetari.