Nga Entela Duka
Gjatë periudhës janar-shtator 2023, në strukturat e DVP Elbasan janë depozituar 3 kallëzime nga qytetarë të ndryshëm, për punonjës të administratës së shërbimeve mjekësore. Si pasojë e kallëzimeve 1 person është vendosur në pranga ndërsa ka nisur procedimi për pesë persona të tjerë, 3 mjekë dhe 2 infermjerë për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Elbasanion përmes gazetares Entela Duka mëson zyrtarisht referuar policisë së Elbasanit se kallëzimet janë administruar menjëherë nga punonjësit e Policisë, të cilët për çdo rast kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë kryer veprimet hetimore.
Në vijim të veprimeve për këto 3 raste kallëzimi, është vënë në pranga 1 shtetas (me detyrë teknik laboratori në spitalin e Elbasanit), në kuadër të operacionit të koduar “Bonusi, pasi kanë kallëzuar 2 bashkëshortë se ky shtetas iu kishte marrë një shumë parash, për t’iu siguruar në mënyrë të paligjshme, dokumentacionin për përfitimin e pensionit të invaliditetit (KMCAP). Gjithashtu, ka nisur procedimi penal për 5 të shtetas të tjerë, 3 prej tyre mjekë dhe 2 infermierë, në spitalin e Elbasanit, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Në rastin e dytë është regjistruar dhe një humbje jete e një gruaje 34 vjece, pas kryerjes së abortit në maternitetin e Elbasanit, ngjarje kjo e ndodhur në janar të këtij viti. Në një kohë kur ngjarjet e trishta me humbe jete në spitale kanë qënë të shpeshta vihet në pikëpyetje profesionalizmi dhe përgjegjshmëria e bluzave të bardha.
Qytetarët në Elbasan janë të dyjëzuar kur vjen puna te analiza e performancës së bluzave të bardha. Teksa gjykojnë se ndër të tjera një mjek duhet të jetë human e më pas profesionist flasin për eksperiancat e tyre personale.
Shpesh bluzat e bardha janë akuzuar në vendin tonë se nuk ofrojnë shërbim nëse nuk paguhen nën dorë nga pacientët. Këta të fundit bëjnë një krahasim me brezin e ri , duke theksuar se te rinjtë kanë gjetur më tepër përkujdesje dhe mirëkuptim.
Vetëm pak javë më parë dy fëmijë humbën jetën në Shqipëri. Rasti i parë, i cili shkaktoi indinjatë dhe protesta ishte ai i 3-vjecarit Brian Spahiu pas ndërhyrjes dentare në një klinikë private në Tiranë, ndërsa rasti i dytë i një foshnje 8 muajshe nga Shkodra, i cili humbi jetën në Pediatrinë në Tiranë. Në të dyja rastet bluzat e bardha po hetohen për “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”.
