Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku akordon certifikatë “Për Shërbime të Dalluara”, për 6 punonjës policie të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Certifikatat iu janë dorëzuar punonjësve të Policisë, gjatë një ceremonie të organizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në të cilën ishin të pranishëm Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan z. Ilir Proda, rektori i universitetit “Aleksandër Xhuvani”, kryeprokurori z. Kreshnik Ajazi, zv.prokurori z. Xheljan Seferi, zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimeve Lorenc Meta dhe punonjës të DVP Elbasan.
Me certifikatën “Për Shërbime të Dalluara” u vlerësuan shefit i Sektorit për Hetimin e Narkotikëve Uljan Shpataraku, shefi i Seksionit për Hetimin e Narkotikëve Fatos Tresa, shefi i Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit Klevis Karafilaj, shefi i seksionit për Hetimin e Trafiqeve Sadik Kateshi, punonjësi i Sektorit të Policisë Rrugore Qemal Muça dhe agjenti Nezir Murrizi.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan i ka falënderuar punonjësit e Policisë, për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar, gjatë kryerjes së detyrës. Gjithashtu, ai ka falënderuar përfaqësuesit e institucioneve që ishin të pranishëm në ceremoni për bashkëpunimin dhe ndihmën që i japin Policisë së Shtetit, në misionin e saj për t’iu shërbyer qytetarëve.
Punonjësit e Policisë që u vlerësuan me certifikatë, falënderuan Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorin e DVP Elbasan dhe kolegët, për vlerësimin dhe për bashkëpunimin në punë.
Në përfundim të ceremonisë, të pranishmit shkëmbyen urime edhe për festat e fundvitit.
