Vendi ynë vijon të jetë i përfshirë nga moti i keq, por situata është drejt përmirësimit në Durrës. Lezhë dhe Gjirokastër, tre qarqet që u përballën me situatë të vështirë gjatë ditës së djeshme.
DURRËS
Në Durrës, problematika tashmë është në zonën e ish-Kënetës e më konkretisht në bllokun rreth Burgut, ku dje të paraburgosurit u zhvendosën nga kati i parë tek i dyti. Në Durrës, janë 100 banesa të cilat kanë ujë në oborret dhe në brendësi të tyre dhe janë evakuuar 18 familje me 60 persona të cilët janë sistemuar në 2 shtëpitë e pushimit, në atë të Ministrisë së Brendshme dhe në atë të Mbrojtjes. Po ashtu probleme ka në Shkozet Lagjja 14 sidomos në zonën që njihet si NISH tulla.
LEZHË
Gjate natës në Lezhë dhe Kurbin ka patur reshje në intensitet të ulët, çka ka ndikuar në përmirësimin e situatës. Uji është tërhequr në pjesën më të madhe të zonave urbane. Në Kurbin janë evakuuar rreth 8 familje, ndërsa sipërfaqja e përmbytur në të gjithë qarkun është 3010 ha dhe 150 banesa të rrethuara nga uji. Konkretisht në bashkinë Lezhë janë nën ujë 1010 ha tokë bujqësore dhe 2000 ha në bashkinë Kurbin. Në gjithë qarkun e Lezhës ka rifilluar procesi mësimor.
VLORË
Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e pazarit, pranë Ura e Mifolit, si pasojë e prurjeve të larta të ujit. Sipas të dhënave të fundit, niveli i Vjosës ka arritur në 7.1 metra mbi nivelin e detit. Autoritetet kanë njoftuar të gjitha familjet që jetojnë pranë lumit të marrin masa paraprake dhe të jenë të vëmendshme ndaj çdo rreziku të mundshëm.
Në fshatin Vajzë, ka pësuar çarje rruga nacionale që lidh fshatrat Kote- me fshatin Vajzë, Amantian Sevasterin, Plocen etj. Për shkak të shkarjes së dheut, dy banesa rrezikojnë të shemben po në fshatin Vajzë.
GJIROKASTËR
Aksi nacional Gjirokastër- Kakavijë është i bllokuar ne zonën e Kordhoçes, përballë fshatit Lazarat. Ne vendngjarje janë punonjësit e firmës mirëmbajtëse të cilët po punojnë për hapjen e rrugës. Gjithashtu ka bllokim te rrugës Gjirokastër-Valare në vendin e quajtur Ura e Aznakut.
ELBASAN
Në bashkinë Elbasan janë përmbytur 5 banesa në zonën e uzinës 12 te ish-Kombinatit Metalurgjik si pasojë e bllokimit të kanalit kullues. Raportohet edhe për disa shtëpi të përmbytura në Belsh.
Lajm në përditësim…













