Gjeneral-lejtnanti i pensionuar amerikan Eric P. Wendt i cili është porpozuar nga Donald Trump për tu emëruar si Ambasador i Shteteve të bashkuara të Amerikës në Shqipëri është një nga figurat e njohura të ushtrisë amerikane, me një karrierë mbi tre dekada në fushën e sigurisë dhe operacioneve speciale.
Wendt shërbeu për herë të fundit si komandanti i 5-të i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO, detyrë që e mbajti deri më 29 janar 2021. Gjatë karrierës së tij si oficer i lartë, ai ka mbajtur disa poste kyçe, përfshirë rolin si Koordinator i Sigurisë së SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019), si dhe pozicione drejtuese në Komandën e Paqësorit të SHBA dhe në strukturat e operacioneve speciale në Kore dhe Afganistan.
Ai u diplomua në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara për drejtësi dhe shoqëri dhe më pas përfundoi studimet master në çështjet e sigurisë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare Detare. Wendt u gradua si toger i dytë në vitin 1986 dhe doli në pension më 1 mars 2021, pas mbi 34 vitesh shërbimi, ku përfshihen edhe 30 vite në Forcat Speciale si “Beretë e Gjelbër”.
Përveç karrierës ushtarake, ai zotëron edhe gjuhët arabe dhe koreane, duke reflektuar angazhimin e tij në rajone të ndryshme strategjike.
Në vitin 2020, presidenti i atëhershëm amerikan Donald Trump e nominoi Wendt për ambasador të SHBA në Katar, por kandidatura e tij nuk u shqyrtua nga Senati para përfundimit të mandatit të Kongresit, duke mbetur pa vendim.
Figura e Wendt konsiderohet si një profil me përvojë të gjerë në diplomaci ushtarake dhe operacione ndërkombëtare, çka e bën atë një emër të rëndësishëm në politikën e sigurisë së SHBA.













