Ndryshimi i menjëhershëm i motit, i shoqëruar me reshje intensive shiu dhe erë të fortë, ka sjellë probleme në disa qytete të vendit, kryesisht në Durrës dhe Elbasan, ku janë regjistruar raste të shumta të rrëzimit të pemëve.
Në zonën e Plepave në Durrës, disa pemë janë rrëzuar si pasojë e erës së fortë, duke përfunduar mbi automjete dhe duke bllokuar një segment të rrugës dytësore pranë rrethrrotullimit. Nga ngjarja nuk raportohen persona të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale në disa mjete.
Probleme janë shënuar edhe në Elbasan, ku reshjet dhe era e fortë kanë sjellë situata të rrezikshme për kalimtarët. Një rast është regjistruar pranë Elbasan Arena, ku një pemë e madhe është thyer dhe ka rënë në trotuar. Fatmirësisht nuk raportohen dëme në njerëz apo automjete.
Në të dy qytetet, shërbimet përkatëse kanë ndërhyrë për largimin e pemëve dhe normalizimin e qarkullimit, ndërsa autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të kushteve të paqëndrueshme atmosferike.













