TIRANË — Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka zhvilluar një takim urgjent me drejtuesit e policisë në qarqe, ku fokusi kryesor ka qenë ekzekutimi i Artan Murtajt ditën e djeshme në qendër të qytetit të Sarandës.
Gjatë takimit me krerët e policisë, ministri Demo ka urdhëruar shkrirjen e plotë të zinxhirit drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë, për shkak të ngjarjeve të njëpasnjëshme kriminale të regjistruara në atë zonë. Gjithashtu, kreu i Ministrisë së Brendshme vendosi krijimin e një Task Force të posaçme të përbërë nga 10 efektivë e hetues, të cilët do të stacionohen në Sarandë me detyrë të drejtpërdrejtë hetimin e krimeve dhe zbardhjen e ngjarjeve të fundit.
Gjatë komunikimit me Kryedrejtoren e Policisë së Shtetit, ministri kërkoi gjithashtu marrjen e masave urgjente për rritjen e sigurisë në ambientet shkollore dhe hartimin e një plani të detajuar masash për kontrollin e territorit në nivel vendi.




