Petref Halili është i njohur për të gjithë banorët në Bashkinë e Cerrikut.
Ai është mësues i lëndës “Bujqësi”, në shkollën e mesme “Mihal Shahini” dhe falë pasionit të tij për bletët njihet edhe si bletërritës.
Petrefi ka nisur të merret me rritjen e bletëve që në vitin 1996. Sot numëron mbi 100 koshere të vendosura përqark territorit të shtëpisë dhe në të ardhmen ka synim ti zgjerojë.
”Kam filluar me pak koshere e kam arritur deri ne 300. Më ka ndihmuar shumë edhe profesioni si mësues në shkollën profesionale”- shprehet ai.
Si bletërritës njihet jo vetëm në fshatin e tij në Selitë, por kudo.
Petrefi vihet në shërbim të bletëve cdo ditë pas mësimit si dhe gjatë fundjavës.

“E kam kthyer në biznes familjar, të ardhurat janë të mira, por edhe shpenzimet janë të mëdha”- thotë ai.
Petrefi tregon se nuk është prekur nga sëmundjet e stinës që vijnë si pasojë e përdorimit të pesticideve. Shtëpia e tij në kodër dhe bimësia thotë ai janë mbrojtësit kryesorë për bletët.
“Nëse nuk rekomandohet nga specialistët, përdorimi i pesticideve bëhet i dëmshëm. Nëpërmjet informacioneve që vijnë nga Drejtoria e Bujqësisë, farmacitë bujqësore po ia transmetojnë fermerëve mënyrën dhe kohën e përdorimit të pesticideve e kjo na ndihmon”- shprehet ai.
Petrefi thotë se ka përfituar nga subvencionet e dhëna nga shteti. Ndërsa një Ndihmesë e madhe për të janë edhe kualifikimet e trajnimet që bëhen për bletarinë në shkollën profesionale ku jep mësim.
