Rexhep Shaka, një zë i rëndësishëm për komunitetin egjiptian në Librazhd

Në një qytet të vogël si Librazhdi, Rexhepin e njohin të gjithë madje i trokasin deri në derën e shtëpisë për të zgjidhur një hall, për të kërkuar një ndihmë apo edhe për të marrë një informacion.
Tashmë ka pozicionin e drejtuesit të shërbimeve sociale në bashkinë Librazhd dhe për të arritur këtu ka kaluar shumë sfida në arsimin dhe formimin e tij.

“Sfidat e mia kanë qenë të mëdha, unë vetë kam qenë iniciator. Kam mbaruar arsimin ushtarak, kam qenë oficer, po ashtu kam punuar për një kohë të gjatë edhe në polici. Më pas kam filluar si specialist i ndihmës ekonomike, por duke punuar duke vazhduar shkollën tjetër për punonjës social, përfundova edhe masterin. Sot punoj si drejtues i shërbimit social në bashkinë e Librazhdit dhe e gjithë kjo në sajë të punës dhe përkushtimit të palodhur. Çka do të thotë që kur njëriu ka vullnet mund të arrije gjithçka”- u shpreh zoti Shaka.

Por sfidat e komunitetit vetë kanë qenë dhe janë akomë më të mëdha. Ndër vite është ndërhyrë në strehim dhe punësim por ka edhen problematika si legalizimi apo mbështetja me formim professional.

“Identifikimi i nevojave është pjesa më e rëndësishme. Kanë qenë shumë immediate sidomos nga viti 2013, ka qenë punësimi, shkollimi, strehimi, banesat për të cilat si organizatë kemi bërë identifikimin në atë kohë.
Falë një projekti në atë kohë kemi angazhuar në një kurs profesional për rrobaqepësi 15 gra të bashkive Prrenjas dhe Librazhd. Morëm makina qepëse që do t’I ndihmonin këto gra ta ushtronin zanatin e tyre në shtëpi, por jo vetëm, pasi arritën që të punësoheshin në fasoneri.
Përveç kësaj kemi pasur shumë probleme me strehimin, gjë e cila na ka ndihmuar në vitet 2016-2017, falë një VKM-je të qeverisë për restaurimin e banesave duke I ardhur në ndihmë këtij komuniteti. Gjë e cila mendoj që në të gjithë Shqipërinë jemi bashkia më e mirë, pasi falë punës intensive ia kemi dalë të përmbushim qëllimet tona. Kemi arritur që në të gjithë bashkinë të restaurojmë 135 shtëpi”- shprehet ai.

Për Rexhepin, të përfaqësosh shtresat në nevojë dhe t’i qëndrosh pranë me qëllim që t’u krijosh sado pak lehtësi në jetesë është një punë humane, por e vështirë. Ai shprehet se për punonjësit socialë çdo ditë është një sfidë e re.
“Mënyrë e komunikimit, mënyra e të sjellit me këtë komunitet dhe të mbushurit e mendjes, si duhet të veprojnë dhe ku duhet t’i referojnë rastet dhe problematikat e tyre është shumë e vështirë. Kjo ndodh edhe nga mentaliteti, po edhe nga vuajtjet, problemet e të gjitha me rradhë. Kjo është një sfidë më vete, të punosh me këtë komunitet është një sfidë e përditshme për çdo punonjës social.

Shpesh i duhet të referojë madje të ndjekë vetë rastin edhe kur nuk ka lidhje me shërbimet që ai mbulon.
Misioni im ka qenë që të jem sa më pranë kësaj shtrese, por jo vetëm. Unë tashmë përfaqësoj një institucion, çka do të thotë se u qëndroj pranë të gjithëve pa përjashtim që nga ndihma ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, jetimët, të moshuar, strehimi, bonusi i qerasë e të gjitha problemet që kemi.

Rexhepin e njohin të gjithë për angazhimin e tij dhe rolin e rëndësishëm në komunitet duke I dhënë kështu një vlerë të shtuar shoqërisë civile dhe rritjes së shërbimit social, një shërbim që gjithmonë e më tepër konsiderohet celësi i të gjitha zgjidhjeve për një jetesë me dinjitet të shtresave në nevojë.