Kodërbujarasi, një fshat shumë pranë njësisë Tregan në bashkinë Elbasan. Si emri banorët e zotërojnë mikpritjen dhe bujarinë, janë punëtorë dhe dashamirës, por nuk kanë as kushtet më elementare të jetesës normale, ujin e pijshëm dhe infrastrukturen rrugore.
Fati i tyre deshi që rruga, një investim i fondit të zhvillimit shqiptar të vinte deri afër fshatit, por jo më tej.
Të gjithë në këtë fshat i sheh duke punuar arat, krasitur ullinjtë dhe punë të tjera bujqësie, ndërsa për kërkesat e tyre, banorët e Kodërbujarasit kanë humbur shpresën se dikush do ti zgjidhë.
Të gjendur përballë vështirësive të lëvizjes ata u angazhuan të shtrojnë vetë një pjesë të rrugës duke harxhuar paratë që fëmijët e tyre sjellin nga emigracioni.
Ndërkohë vuajnë mungesën e një rruge normale për në varrezat e fshatit në kodrën afër tyre, pasi rrugën ekzistuese e dëmtoi ndërtimi i pjesës së asfaltuar.
“Rruga ishte shumë e mirë, por kur u shtrua asfalti, u gërmua dheri… E mori firma dherin edhe prishën rrugën e varrezave”- u shpreh për Elbasanion një banor i zonës.
“E patë rrugën kur kalon për tek varrezat? U bë një rrugë malore, që nuk ngjitej as me kafshë, jo më me makinë”- u shpreh një tjetër.
Kodër Bujarasi është ndër dy fshatrat në bashkinë Elbasan që ka kryetar fshati një grua. Banorët thonë se kjo është një gjë positive pasi këtë punë mund ta bëjë shumë mirë një grua, por në kushtet shqiptare zëri qoftë burrë e qoftë grua nuk dëgjohet.
“Ajo mundohet, por s’është në dorë të kryetares së fshatit”- tha një banor.
“I jemi drejtuar kryetares së fshatit, komunës, njësisë administrative, po skemi marrë asnjë përgjigje”- u shpreh dikush tjetër.
Banorët i rendisin edhe një herë kërkesat e tyre për ujë e rrugë e shkollë me shpresën se dikush do të kujtohet edhe për ta.
“Shkollën e kemi shumë larg, shkojnë e bëjnë në Kuqan. Shkollën dhe rrugën e kemi të domosdoshme. Ky fshat është I tëri pa ujë të pijshëm, gjatë verës sidomos”- shpehet një banor.
“I braktisur është fshati, derisa rrugë nuk ka, shkollë jo. Ka një shkollë të shkatërruar atje me 2-3 fëmijë. Mua më duhet një shkollë për fëmijët”- u shpreh një tjetër.
Dy fshatrat që numërojnë një numër të madh banorësh por që ka një shpërndarje të madhe territoriale thuajse janë të braktisura për shkak të vështirëve të mëdha që kanë edhe pse klima dhe kushtet janë mjaft të përshtatshme për të pasur prodhim të bollshëm e cilësor.
Një tjetër ndalesë në kthim ishte fshati Bathës shumë afër qytetit të Elbasanit në njësinë administrative Shirgjan. Bathësi është fshati i dytë që drejtohet nga një grua. Në këtë fshat kultivohet shumë vreshtari e frutikulturë i njohur qysh në kohën e komunizmit. Banorët kanë vështirësi të theksuara për të mbërritur në arat e tyre që po ashtu qysh nga koha e komunizmit cuditërisht nuk vaditen më.
“Unë kam një tokë në krahun përballë, jo vetëm unë, po shumë nga banorët e tjerë të lagjes dhe po vuajmë për rrugë. Prit se po bëhet sot, prit se po bëhet nesër dhe asgjë. Mbi 20 familje që kalojmë në atë rrugë, për 300 metra nuk shtrohet”- u shpreh një banor i kësaj zone.
Ndërsa i afrohemi zonës urbane në fshatin Bathës problematikat janë të ndryshme nga kodërbujarasi por përpjekja për zgjidhje mbetet e njëjtë pavarësisht të qenit burrë apo grua.
Nuk e ka ajo në dorë, thonë banorët për rolin e kryetares së fshatit. Ata kanë ngritur shqetësimin e mungesës së kazanëve të mbeturinave dhe policë të shtrirë për rrugën, që për ta është kthyer në burim të madh aksidentesh por nuk kanë gjetur zgjidhje.
“Nuk pastrohen fare mbeturinat. I kishim kazanët këtu i hoqën se nuk i shkarkojnë, e tërë kjo lagje këtu pa kazanë mbeturinash. Kjo rrugë është bërë shumë problem. Janë askidentuar disa herë banorë të fshatit, madje edhe fëmijë. Duhet të merren masa, të paktën të vendosen disa policë të shtrirë”- shprehen ata.
Dy fshatra të drejtuara nga gra nuk kanë asnjë ndryshim nga ato që kanë kryetarë burra. Sipas banorëve zgjedhja e kryetarëve dhe dëgjimi i zërit nuk varen nga gjinia por nga roli partiak qysh në procesin fillestar dhe ushtrimin e funksionit.
Kryetari I fshatit mbetet i vetmi pozicion me proces zgjedhor në njësitë administrative që nuk ka varësi nga titullari i bashkisë por që realiteti duket se është krejt ndryshe.
