TIRANË – Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, zhvilloi këtë të martë një takim me grupet e hartimit të testit të Maturës Shtetërore 2025. Gjatë fjalës së saj Manastirliu u shpreh se grupet e hartimit të testimeve duhet të punojnë me konfidencialitet absolut.
Gjithashtu Manastirliu u shpreh se duhet që arritjet e nxënësve të testohen përmes një vlerësimi i cili të jetë sa më i saktë, efektiv dhe meritokratik. Ajo shton se duhet të sigurihet që edhe procesi i administrimit, në raport me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, që nga printimi i testeve, dërgimi në shkolla, elementët e sigurisë, të ndiqen në çdo hallkë.
“Në këtë proces të rëndësishëm të Maturës Shtetërore kemi filluar prej nëntorit me ngritjen e Komitetit të Maturës Shtetërore. Kemi vijuar në janar me shpërndarjen e testeve model për të gjithë nxënësit maturantë, për t’i njohur ata me testet model vit pas viti dhe për t’i familjarizuar me shkallën e vështirësisë së tyre. Tashmë grupet e hartimit të fondit të pyetjeve të provimeve të maturës janë ngritur dhe jeni ju këtu. Keni filluar të punoni dhe do duhet që shumë shpejt fondi i pyetjeve të kristalizohet, në mënyrë që sipas afateve proceduriale të dilet me testet në provimet e maturës, sipas një konfidencialiteti absolut dhe kjo është shumë e rëndësishme. Duhet që arritjet e nxënësve të testohen përmes një vlerësimi i cili të jetë sa më i saktë, efektiv dhe meritokratik, ashtu sikurse na duhet që të sigurojmë që edhe procesi i administrimit, në raport me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, që nga printimi i testeve, dërgimi në shkolla, elementët e sigurisë, e të gjitha këto të ndiqen në çdo hallkë”, tha Manastirliu.
Ndërkohë një ditë më herët Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar informoi se aplikimet/konfirmimet për “Maturën Shtetërore 2025”, për formularët A1 do të jenë aktive nga 3-12 shkurt dhe aplikimet/konfirmimet për formularin A1Z do të jenë aktive nga data 11-12 shkurt.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, formulari A1 plotësohet nga maturantët e këtij viti shkollor, ndërsa formularin A1Z plotësohet nga të gjithë kandidatët që duan të aplikojnë në Maturën Shtetërore. Hapi i parë është plotësimi i formularit A1/A1Z, në të cilin ruhen të dhënat personale, si dhe të dhëna të tjera në lidhje me provimet. Formularët A1/A1Z plotësohen fillimisht online nëpërmjet portalit e-Albania dhe më pas duhet të konfirmohen në shkollën përkatëse nga vetë maturanti/kandidati.
