Investime dhe plane veprimi për të rinjtë, ja situata në bashkitë e Qarkut Elbasan

Në qarkun e Elbasanit të rinjtë përbëjnë 47% të gjithë popullësisë duke e renditur si qarkun e parë me përqëndrimin më të lartë të të rinjve në vend. Por cfarë bëjnë bashkitë në shërbim të të rinjve për të rritur aftësitë, investimet dhe mirëqënien e tyre? Ne dërguam kërkesa për informacion të shtatë bashkive të qarkut për të mësuar nëse kanë plane veprimi, investime konkrete dhe parashikime për investime në vitin në vazhdim.
Plani social vendor i bashkisë Cërrik 2024-2027 ka parashikuar 21 aktivitete sociale deri në vitin 2027 për të cilat ka parashikuar rreth 172 mijë lekë në vit. Sipas të dhënave të këtij plani bashkia Cërrik ka pasur një tkurrje prej 8% të popullsisë dhjetevjecarin e fundit sipas census dhe kjo ka ardhur nga ulja e lindshmerise dhe emigracioni. Po sipas planit të veprimit qendra multifunksionale është rritur në numrin e të rinjve që përfitojnë shërbime duke shkuar në 100.
Gjithashtu edhe bashkia Gramsh ka konfirmuar një plan social të miratuar. Brenda tij nuk gjen qoftë edhe një paragraph kushtuar të rinjve por është kryesisht plan i shërbimeve sociale të bashkisë Gramsh. Ndërkohë fonde të papërfillshme janë harxhuar për aktivitete të qendrës kulturore, ndërkohë që rikonstruksioni i saj pritet të nisë në fillim të vitit 2025. I vetmi aktivitet kulturor “Gramshi nfestë” ishte pjesa e fondeve të harxhuara për të rinjtë nga kjo bashki.
Përgjigja më zhgënjyese ka qenë ajo e bashkisë Peqin ku nuk ka pasur dhe nuk është parashikuar asnjë ndërhyrje konkrete për të rinjtë duke kthyer një përgjigje tërësish negative kërkesës për informim.

Situata në Librazhd paraqitet më positive ku me urdhër të kryetarit të bashkisë është ngritur këshilli rinor vendor si dhe është në përfundim investimi në qendrën rinore. Ndërkohë nuk ka zëra konkretë të investimeve për të rinjtë.
Bashkia Prrenjas është në pritje të ndërtimit të një qendre rinore dhe ka planifikuar shuma të papërfillshme për sportin dhe zero fonde për artin në buxhetin e projektuar 2025-2027.

Edhe bashkia Belsh nuk ka një plan strategjik konkret për të rinjtë, nuk ka një qendër funksionale për të rinjtë dhe fëmijët dhe nuk ka zëra konkretë në buxhet duke pranuar se gjatë vitit 2024 nuk ka pasur investime konkrete për të rinjtë.
Gjatë këtij viti nga kjo bashki janë harxhuar rreth 1 milion lekë për aktivitete të ndryshme në shërbim të të rinjve. Ndërkohë mësohet se në planet e bashkisë Belsh është ndërtimi i një qendre multifunksionale, pajisja e laboratorëve të TIK në shkolla për ti ofruar sa më shumë qasje ndaj teknologjisë të rinjve të Belshit.
Bashkia Elbasan është i vetmi institucion vendor që ka një plan veprimi për të rinjtë. Nga viti 2019 ka të strukturuar këshillin rinor vendor. Ndër objektivat e planit të veprimit janë aktivitete që nuk kanë lidhje me investime konkrete për të rinjtë por me nxitjen e vullnetarizmit si dhe aktiviteteve kulturore dhe sportive. Një pikë e rëndësishme e planit është bashkëpunimi me institucionet për braktisjen e hershme të shkollës si dhe nxitjen e rritjes së aftësive si kurset e kodimit për të rinjtë dhe nxitjen e llograidhënies por që nuk ka shifra konkrete dhe fonde të parashikuara nga buxheti i bashkisë për realizimin e tyre.
Në shumicën e analizës së dokumenteve, asnjë nga planet e bashkive nuk kishte ndërhyrje konkrete për punësimin, investime dhe rritjen e kapaciteteve të të rinjve.

Një qendër si TUMO, por bashkitë nuk kanë as qendra rinore
Drejtuesi politik i PS në qarkun e Elbasanit Arbjan Mazniku deklaroi gjatë Kuvendit Rinor në Elbasan se po mendohet sipas fjalës së kryeministrit Rama të ndërtohet një qendër si TUMO në Elbasan. “Gjithashtu para pak ditës lajmëruam sëbashku me kryeministrin në Elbasan se do të bëjmë një qendër si TUMO në Tiranë për trajnimin e të rinjve”theksoi ndër të tjera Mazniku gjatë këtij aktiviteti në nivel qarku. Ndërkohë nga të gjitha verifikimet dhe kërkesat për informacion rezulton se Peqini, Belshi, Gramshi dhe Prrenjasi nuk kanë qendra rinore. Cërriku ka një qendër multifunksionale të investuar nga projekte të donatorëve, Librazhdi është në përfundim të qendrës multifunksionale por ende nuk ka një strategji se si do të funksionojë, Elbasani ka një qendër miks që funksionon si qendër kulturore për fëmijët dhe qendër rinore me ambiente të kufizuara, një investim të nisur por ende të papërfunduar për një qendër rinore në lagjen Kala dhe projekte për krijimin e stacioneve të reja rinore por që deri tani janë të parealizuara.
Ndërkohë ministrja për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi udhëhoqi edhe një pyetësor të të rinjve pjesëmarrës në Kuvendin Rinor ku dolën edhe sfidat e të rinjve në Elbasan ndër të cilat ishte infrastruktura e TIK në shkolla, krijimin e mundësive për studime jasht dhe punësimi, sfida që rezultojnë të ngjashme nga vëzhgimi i realizuar nga Elbasanion dhe që kërkojnë vëmëndje për tu adresuar.