Kanë dalë pamjet e grabitjes se argjendarisë në Kamëz. Siç duket në këtë video të siguruar nga Klan News, gjithçka ndodh në pak sekonda. Autorët e maskuar me skafandra ne koke veprojnë menjëherë sapo futen ne argjendari.
Njëri prej tyre mban një armë kallashnikov në dorë, ndërsa tjetri një çekan për të thyer xhamat e banakut të argjendarisë. Shitësja e cila ndodhet në dhomën e pasme sapo shikon hajdutet mbyll derën që të mos konfrontohet me ta.
Nga verifikimet, si dhe marrja në pyetje e pronares së argjendarisë që ra pre e grabitjes, vlera e bizhuterive të marra nga dy personat e armatosur përllogaritet rreth 900 mijë lekë.
E gjithë ngjarja ka ndodhur në pak minuta, me autorët të cilët janë treguar mjaft të kujdesshëm, duke mbajtur skafandrën e motorit gjatë gjithë kohës me qëllim për të mos u identifikuar.
Përmes kamerave të sigurisë grupi hetimorë ka përcaktuar itinerarin në të cilën kanë lëvizur autorët e dyshuar të grabitjes.
Autorët janë larguar menjëherë pas krimit në drejtim të Zallherrit, duke lëvizur me motor, por nuk mund të identifikohen pasi shfaqen të maskuar, në të gjitha sekuencat filmike që janë këqyrur deri më tani nga hetuesit. Gjatë largimit me shpejtësi, në një moment ata kanë rrëshqitur dhe janë rrëzuar nga motori, por më pas kanë vijuar arratisjen.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje punonjësen e argjendarisë e cila ka deklaruar se nuk është përballur me grabitësit, pasi në momentin e ngjarjes ndodhej në pjesën e pasme të dyqanit dhe jo pranë banakut.
Ndërkohë, policia shoqëroi disa persona me precedentë penalë në zonë për verifikim nëse kanë lidhje me ngjarjen.













