Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Shërbimet e Policisë Rrugore, në kuadër të angazhimit për sigurinë rrugore, kanë arritur të kapin dhe ndalojnë shtetasin E. Sh., 32 vjeç, banues në Dibër, i cili ishte shpallur në kërkim kombëtar. Ky shtetas ishte dënuar me një muaj burgim nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprën penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë. Për këtë rast, veprimet e mëtejshme procedurale do të kryhen nga strukturat e DVP Dibër.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. T., 35 vjeç, pasi gjatë një kontrolli fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar si cannabis sativa.
Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori për shtetasin A. C., 55 vjeç, banues në Tiranë, pasi ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar mjetin. Materialet procedurale kaluan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.
