Rrëzoi Gjestin nga podiumi, G-Bani përjashtohet nga Big Brother VIP

Një incident i papritur ka tronditur garën në “Big Brother” , pasi këngëtari G Bani u përjashtua nga gara për çmimin e madh. Kjo ka ndodhur pas një ngjarje të natës së kaluar, ku ai shtyu Gjestin, duke e rrëzuar nga podiumi gjatë lojës së rezistencës.

Në zarfin e zi që mbërriti këtë mëngjes në shtëpinë e “Vëllait të Madh”, u njoftua se dhuna, në çdo formë, është e ndaluar rreptësisht. Për shkak të shkeljes së rregullave, G Bani është përjashtuar menjëherë nga gara. Po ashtu, është anuluar edhe televotimi për banorin e preferuar, që ishte hapur në spektaklin e së martës.

Në njoftimin e bërë nga Vëllai i Madh, thuhet: “Në shtëpinë e Vëllait të Madh, rregullat janë thyer. Dhuna e çfarëdolloj forme është rreptësisht e ndaluar. Për këtë arsye, Vëllai i Madh ka përjashtuar menjëherë nga gara G Banin dhe njofton se televotimi për të preferuarin, do të anulohet.”

Ky vendim ka tronditur jo vetëm banorët e shtëpisë, por edhe shikuesit që kanë pasur mundësinë të votojnë për banorët e preferuar. Tensionet mes banorëve tashmë janë rritur, dhe ky incident ka sjellë një reagim të fortë nga organizatorët për të ruajtur rregullin dhe etikën në program.