Sekreti danez për të përballuar dimrin!

0
16

Një mënyrë për të përballuar muajt e ftohtë vjen nga Danimarka dhe quhet “hygge”, filozofi jetese që mbështetet te rehatia, ngrohtësia, marrëdhëniet njerëzore dhe shijimi i momenteve të thjeshta.

Meik Wiking, themelues i Institutit të Kërkimeve mbi Lumturinë në Kopenhagë dhe autor i librit “The Little Book of Hygge”, shpjegon se kjo filozofi është pjesë e pandashme e kulturës daneze.

“Hygge” nënkupton krijimin e një atmosfere të ngrohtë dhe shijimin e gjërave të mira të jetës në shoqërinë e njerëzve të dashur.

Praktikimi i saj nuk kërkon shpenzime të mëdha. Leximi i një libri nën një batanije të ngrohtë, një pije e nxehtë, një darkë me miqtë pa telefona apo një shëtitje në ajër të pastër, janë disa nga mënyrat më të thjeshta.

Sugjerohet edhe krijimi i një ambienti të këndshëm në shtëpi, përmes ndriçimit të butë, materialeve natyrore e objekteve që japin ndjesinë e ngrohtësisë.

Në thelb, filozofia “hygge” synon t’u japë më shumë vlerë kënaqësive të vogla të përditshmërisë. Ajo mund të mbështesë 98mirëqenien emocionale, por nuk zëvendëson trajtimin profesional të depresionit sezonal.

Në vendet mesdhetare, përfshirë Shqipërinë, ku dimrat janë përgjithësisht më të butë dhe ditët me diell më të shumta se në Europën Veriore, ndryshimet sezonale të humorit mund të jenë më pak të theksuara, por nuk mungojnë.

Edhe te ne, shkurtimi i ditës gjatë vjeshtës dhe dimrit ndikon në ritmin biologjik, cilësinë e gjumit dhe nivelin e energjisë.

Megjithëse klima mesdhetare ofron më shumë mundësi për aktivitete në natyrë dhe ekspozim ndaj dritës së diellit, kjo nuk e përjashton rrezikun e depresionit sezonal.

Ekspertët këshillojnë shfrytëzimin e orëve me dritë natyrore, aktivitetin fizik dhe ruajtjen e kontakteve shoqërore, për të kufizuar ndikimin e ndryshimeve sezonale në mirëqenien psikologjike.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu