Elbasan, 2025 – Policia ka arrestuar dhe proceduar penalisht disa shtetas për vepra të ndryshme penale në qytetet e Elbasanit, Gramshit dhe Librazhdit.
Në Gramsh, 50-vjeçari A. S. u arrestua në flagrancë, pasi dyshohet se, në gjendje të dehur, ka kanosur një shtetas dhe ka dëmtuar me sëpatë xhamin e derës së biznesit të tij si dhe dy automjete të tjera.
Ndërkohë, në Elbasan, ka nisur procedimi penal për 29-vjeçarin J. A., i cili akuzohet se ka goditur me grushte një 56-vjeçar për motive të dobëta. Po ashtu, tre shtetas të tjerë, G. E., 47 vjeç, F. H., 52 vjeç dhe R. N., 56 vjeç, janë proceduar për ndërtim të paligjshëm.
Në Librazhd, dy gra, M. A., 41 vjeç dhe A. C., 55 vjeç, janë proceduar penalisht pasi janë konfliktuar fizikisht me njëra-tjetrën.
Gjithashtu, Policia e Gramshit ka shpallur në kërkim një 17-vjeçar, i cili dyshohet se ka vjedhur një laptop në një banesë. Po vijon puna për kapjen e tij.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.
