Kriza energjitike, Kosova shpall gjendjen e emergjencës

Me 57 vota për, asnjë kundër dhe 17 abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike.

Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së 51-të ka marr vendim që ta shpallë emergjente gjendjen energjetike, e cila do të vlejë për 60 ditë.

Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Përmes këtij vendimi është vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë – ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.