Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar sërish vendimmarrjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të kompanisë ECO Elb që ka nën administrim inceneratorin e Elbasanit duke kërkuar anulim të procedurës.
Në një vendim të zbardhur këto ditë KPP i ka dhënë të drejtë ankimimit të Qendrës së Monitorimit të Mjedisit sh.p.k sa i takon procedurës “Monitorimi i parametrave mjedisorë dhe hartimi i raporteve mjedisore (për landfillin) me një fond limit 3 milionë lekë.
Në vendim KPP ka kërkuar sërish rishpalljen e procedurës nga e para ku të reflektohen kërkesat që janë bërë nga komisioni. Duke u ndalur në disa pika të ankimimit KPP ka dalë në përfundimin se dokumentet e tenderit janë hartuar në kundërshtim me kërkesat e ligjit në fuqi për prokurimet publike.
“Komisioni i Prokurimit Publik gjykon, se autoriteti kontraktor ka hartuar dokumentet e tenderit të mësipërm në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi për prokurimin publik.
Komisioni i Prokurimit Publik thekson, se kriteret e veçanta për kualifikim, specifikimet teknike nga autoriteti kontraktor duhet të përcaktohen të qarta, të sakta dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim që të kryhet një vlerësim i drejtë dhe jodiskriminues, duke mos penguar pjesëmarrjen në një procedurë prokurimi, si dhe t’i japin mundësi ofertuesve të përcaktojnë objektin e kontratës” thuhet në dokument.
