Ilir Meta vlerson me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” peshëngritësin nga Elbasani

Presidenti Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” peshëngritësin Briken Calja, kampion i botës, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për talentin dhe përkushtimin në arritjen e rezultateve të larta historike në sportin shqiptar si kampion i botës në peshëngritje. Me mirënjohje për vlerat e larta të shpalosura si fryt i stërvitjeve dhe personalitetit të tij triumfues në garat ndërkombëtare, duke u shndërruar në një shembull frymëzimi për të gjithë”.

Gjithashtu Presidenti Meta dekoroi Gerald Toskën me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e larta si sportist kampion i ekipit të ‘Shtërmenit’ të Elbasanit dhe Ekipit tonë Kombëtar. Me mirënjohje ndaj fituesit të medaljeve të arit, të argjendit dhe bronzit në shumë veprimtari ndërkombëtare, arritjet e të cilit kulmojnë me vendin e katërt në Lojrat Olimpike ‘Tokio 2020’; si dhe për meritat si trajner i përkushtuar në përgatitjen e kampionit të botës, peshëngritësit Briken Calja”.

Deklarata e Presidentit
Privilegj dhe kënaqësi e veçantë të nderoja sot sportin e peshëngritjes, që për dekada na ka bërë krenarë, me rezultatet historike dhe përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare dhe në mënyrë të veçantë Kampionin e Botës dhe të Europës, sportistin e shkëlqyer Briken Calja.
E vlerësova me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, që aq shumë e ka lartësuar me arritjet dhe sukseset e tij, duke u shndërruar me personalitetin triumfues, në burim të fuqishëm frymëzimi për fëmijët dhe sportistët e rinj.
Kontribut të jashtëzakonshëm për sukseset e Brikenit, ka padyshim dhe trajneri i tij personal, Kampioni i Europës dhe fituesi i shumë medaljeve, Gerald Toska, të cilin gjithashtu e çmova sot me Titullin “Mjeshtër i Madh”.
I lumtur, që në këtë ceremoni të ishin sot të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Prof. Dr. Milan V.Mihajloviç, si dhe drejtuesit e sportit tonë.
Peshëngritja shqiptare meriton të mbështetet më tepër, për të mos humbur këto tradita, por për t’i zhvilluar më tepër, që Shqipëria gjithmonë të përfaqësohet denjësisht nga kampionë të tjerë që do ta ngrenë lart flamurin tonë kombëtar.